Komisioni për çështje të sigurise, Foto: KALLXO.com

Shqyrtimi i Projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, mbyllet për media diskutimi në Komisionin e Sigurisë

Mediat nuk janë lejuar të vazhdojnë qëndrimin në sallën në të cilën do të zhvillohet edhe diskutimi i mëtutjeshëm i Komisionit për Çështje të Sigurisë në lidhje me Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, nisi të lexojë tri pikat e para të rendit të ditës të cilat u miratuan nga anëtarët e Komisionit ndërsa tutje tha se ka kërkesë që mbledhja e Komisionit të mbyllet “për shkak të informacioneve”.

Projektligji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar është aprovuar në mbledhjen e 14 shtatorit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës.

Ky projektligj më 18 nëntor të vitit të kaluar ishte miratuar parimisht edhe në Kuvendin e Kosovës.

Çka përmban ky Projektligj?

Në Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se qëllim ka themelimin e parimeve bazë, standardeve minimale të sigurisë si dhe një sistemi unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Tutje me miratimin e këtij Ligji, i cili aktualisht është vetëm projektligj, do të themelohet edhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar – AMIK dhe do t’i përcaktohet misioni, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj agjencie.

Ky ligj pasi të votohet do të zbatohet nga të gjitha institucionet publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, për personat fizik dhe juridik, që bazuar në parimin e nevojës për të ditur, në ushtrimin e detyrës mund të kenë qasje në informacionin e klasifikuar të Republikës së Kosovës, shteteve dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar është përgjegjës personi të cilit i është besuar informacioni i tillë.

Kush do të jetë autoriteti që do klasifikojë informacionin.  Në Projektligj, theksohet se autoritet do të jetë, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e kryesisë së kuvendit, Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës si dhe Udhëheqësit e institucioneve të pavarura.

Neni 5 i Projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar thotë se: ”Autoritetet për klasifikimin e informacionit të parapara në paragrafin 1 të këtij neni, kanë të drejtë të delegojnë kompetencën e klasifikimin tek drejtuesit e institucioneve në vartësi të tyre, pasi drejtuesit të jenë informuar për rregullat dhe procedurat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe që kanë pranuar individualisht përgjegjësitë e saj në lidhje me mbrojtjen e informacionit të tillë”.

Kërkesa për dhënien e autorizimit nga Autoriteti klasifikues i dërgohet Agjencisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, e cila pas shqyrtimit dhe vlerësimit, rekomandon për dhënien ose jo të autorizimit.

“Autorizimi i kompetencës për klasifikim bëhet me shkrim dhe e identifikon qartë titullarin me emër dhe titull të pozitës dhe ky autorizim vlen vetëm për kohën sa është titullar i institucionit përkatës”- thuhet në Projektligj.

Neni 6 i Projektligjit flet për kategoritë e informacionit i cili klasifikohet. Pra, informacioni klasifikohet vetëm nëse është e nevojshme dhe nëse bie brenda një apo më shumë prej këtyre kategorive siç janë, projekte, plane, sisteme apo operacione që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.

Tutje klasifikimi bëhet edhe për ndonjë informacion i shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, marrëdhënie apo veprimtari ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, të cilat mbrohen nga ekspozimi i pa autorizuar.

Informacion i klasifikuar do të konsiderohet edhe çdo veprimtari, burime informative dhe metodat e punës së organeve dhe institucioneve të inteligjencës që lidhen me sigurinë e Republikës së Kosovës, por edhe sisteme, instalime, infrastruktura, projekte, plane apo shërbime të mbrojtjes që lidhen me interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Neni 7 i projektligjit përcakton edhe se kur bëhet ndalimi i klasifikimit të informacionit. Në këtë rast sipas projektligjit, ndalohet klasifikimi i informacionit kur ai bëhet me qëllim që të fshehë shkeljet e ligjit, keqpërdorimin e autoritetit, mos efikasitetin apo gabimin administrativ, t’i privojë të drejtën e njohjes një personi, organizate apo institucioni, të pengojë apo të vonojë dhënien e informacionit qe nuk kërkon mbrojtje në interes të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe që kufizojnë konkurrencën.

Niveli i klasifikimit do të jetë i renditur në “tepër sekret”, “sekret”, “konfidencial” dhe “i kufizuar”.

Informacioni do të mbetet i klasifikuar për aq kohë sa e kërkon interesi i sigurisë së Kosovës.

Informacioni “i kufizuar” do të ketë kohëzgjatje një vit, informacioni i klasifikuar si “konfidencial” mund të ketë kohëzgjatje prej pesë vite, informacioni i klasifikuar si “sekret” 15 vite ndërsa informacioni i klasifikuar si “tepër sekret” 50 vite.

“Llogaritja e afateve të ruajtjes së klasifikimit fillon nga data e prodhimit të informacionit të klasifikuar”- thuhet në projektligj.

Në Projektligjin e publikuar thuhet se në rast se autoriteti klasifikues konsideron se informacioni duhet të mbrohet më gjatë se sa që është paraparë ai nxjerr vendim të ri për klasifikim në pajtim me nenin 8 të këtij ligji.

“Vendimi i tillë nuk guxon të merret më herët se gjashtë (6) muaj para datës së paraparë për deklasifikim “- vazhdon tutje Projektligji.

Në Projektligj është paraparë edhe asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar.

Pra në këtë rast, çdo institucion shtetëror titullari i atij institucioni apo i autorizuari krijon komisionet për asgjësimin dhe shkatërrimin e informacionit të klasifikuar.

Neni 54 i Projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, posedon edhe sanksionet penale për ata që zbulojnë dhe nuk ruajnë informacionet e klasifikuara.

Kushdo që zbulon informacionin e klasifikuar si “konfidencial” kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “tepër sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 5 deri 12 vite.