TIrana

Shqipëri, Ministria e Jashtme hedh poshtë pretendimet e Lavrovit për ‘mercenarët shqiptarë’

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka hedhur poshtë pretendimet ruse për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë.

MEPJ njofton se ka kërkuar nga ambasadori rus në Tiranë përgënjeshtrimin e lajmit.

“MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TASS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”, thuhet në njoftim.

Lavrov e cilësoi Ballkanin Perëndimor terren për krimin, ku ka terroristë dhe trafikantë droge që sipas tij do të rekrutohen në zonën e rrezikut në Ukrainë.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren për krimin. Ka terroristë dhe trafikantë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani”, tha Lavrov, ministri i Jashtëm rus.