Shoqërohet në Polici i dyshuari për largimin e pengesës për parkim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një video të postuar në Facebook ka denoncuar një qytetar, i cili shihet duke përdorë forcën për ta larguar pengesën për t’u parkuar në trotuar.

Në videon e publikuar shihet një autobus dhe një veturë e parkuar në trotuar.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor.

“Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë, është raportuar rasti i cili ka ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë, ku një person ka dëmtuar shtyllat antiparking dhe më pas ka parkuar një autobus” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se zyrtarët policor, kanë identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor personin e dyshuar.

Sipas Policisë, i dyshuari pas intervistimit, me rekomandim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia tregoi se ndaj të dyshuarit është shqiptuar gjobë prej inspektorëve të komunës si dhe në polici është inicuar rast për veprën “Asgjësim apo Dëmtim i Pasurisë”.

Në anën tjetër kryetari Rama kishte thënë se derisa ata bëjnë ç’mos për përmirësimin e kushteve në trafik, shoferët e autobusëve privat jo vetëm që operojnë e parkohen ilegalisht në vende jo të destinuara për të ndaluar.

Rama po ashtu ka thënë se të njëjtit edhe e dëmtojnë infrastrukturën rrugore.

Përparim Rama denoncon qytetarin që largoi pengesën për parkim