Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

 Shoqata e Prokurorëve reagon për sulmin ndaj prokurorit të Prizrenit

Atnor Skoro, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Prizrenit, është sulmuar gjatë ditës së djeshme.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar ashpër kundër sulmit fizik që i është bërë prokurorit të Prokurorisë në Prizren, Atnor Skoro për shkak të detyrës së tij si prokuror.

“Shoqata e prokurorëve  të Kosovës kërkon që sa më parë të kapet autori i këtij sulmi dhe të sillet para organeve të drejtësisë. Asnjë kërcënim apo sulm ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do të lëkundë asnjë prokuror që të zbatojë ligjin dhe të marrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjellë para drejtësisë të gjitha ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale”, thuhet në reagim.

Shoqata ka garantuar  të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se asnjë rast penal nuk do të mbetet pa u trajtuar deri në fund, brenda afateve ligjore, sa do që këto afate mund të duken të stërzgjatura.

Sulmi ndaj prokurorit Atnor Skoro është bërë i ditur dje nga zyra e Prokurorit të Shtetit përmes një reagimi.

“Prokurori Atnor Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R i ka dalur përpara prokurorit Skoro dhe e ka sulmuar atë fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i njëjti për momentin është në arrati”, thuhet në njoftim.

Tutje, prokuroria ka njoftuar dje se prokurori është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.

Për këtë sulm, ka reaguar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor”, thuhet në reagim.

Pas seancës gjyqësore, sulmohet prokurori i Prizrenit