Pas seancës gjyqësore, sulmohet prokurori i Prizrenit
Atnor Skoro, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Prizrenit, është sulmuar gjatë ditës së sotme.
Këtë e ka bërë të ditur zyra e Prokurorit të Shtetit përmes një reagimi.
“Prokurori Atnor Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R i ka dalur përpara prokurorit Skoro dhe e ka sulmuar atë fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i njëjti për momentin është në arrati”, thuhet në njoftim.
Tutje, prokuroria ka njoftuar se prokurori është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.
Për këtë sulm, ka reaguar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor”, thuhet në reagim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron publikun se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës të cilën e meriton kjo situatë.