Foto: FSK

Shkon në mbi 19,300 numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Numri i viktimave nga tërmetet e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri ka shkuar në më shumë  se 19,300 njerëz.

Duke dhënë një numër të përditësuar të vdekjeve të enjten pasdite, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se 16,170 njerëz kanë vdekur vetëm në vendin e tij, raporton BBC.

Më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur në Siri.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga tërmetet.

Përpjekjet për shpëtim janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre.

Ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtare në 72 orët e para.

Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, thanë ata.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vizitoi të mërkurën provincën e Hatait, e cila është goditur rëndë, prej ku banorët kanë kritikuar përpjekjet e Qeverisë, duke thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit shkuan me vonesë.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive, më shumë se 110.000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në operacionet për të shpëtuar sa më shumë jetë, dhe më shumë se 5.500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.