Shkarkohet u.d. drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës

Laura Nushi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, është shkarkuar nga detyra.

Këtë e kanë konfirmuar nga zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Unversitar të Kosovës (SHSKUK).

“Ju konfirmojmë se bazuar në dispozitat e nenit 64 paragrafi 10 të Ligjit Nr.04/L-125 për Shëndetësi, në pajtim me nenin 53 të Ligjit Nr.05/L-031, për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në mbështetje të nenit 18, të Statutit Nr.01/2023 të ShSKUK-së, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, me datë 20.03.2025,  ka nxjerr VENDIM,  duke shfuqizuar  Vendimin me numër protokolli 3720, të datës 07.12.2023, me të cilën ishte caktuar u.d. drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, e cila kthehet në kontratën e punës paraprake në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi. Ky Vendimi hyn në fuqi nga data 21 mars 2025”- thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për KALLXO.com

Si ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Mitrovicës është caktuar specialisti i kardiologjisë, Gëzim Berisha.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga Laura Nushin për vendimin e shkarkimit por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

SHSKUK kishte njoftuar në muajin shkurt të këtij viti për hapjen e konkursit për drejtor të përgjithshëm të Spitalit Rajonal të Ferizajit dhe atij të Mitrovicës.

Në dhjetor të vitit të kaluar SHSKUK kishte anuluar konkurset për drejtor të Spitalit të Ferizajit dhe të Mitrovicës, ndërsa në janar 2025 SHSKUK kishte anuluar edhe konkursin për drejtor të QKUK-së.

KALLXO.com pati raportuar më 22.11.2024, se kandidatja për drejtoreshë të Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, e cila veçse mban këtë pozitë si ushtruese e detyrës, është parë në organizimet e tubimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Hapet Konkursi për Drejtor të QKUK-së të Spitalit të Ferizajit dhe të Mitrovicës