
Ilustrim
Fakulteti i Edukimit në UP: Kosova anëtarësohet në Shoqatën Europiane të Hulumtimeve në Arsim
Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se Kosova ka marrë zyrtarisht anëtarësimin si Kandidate në Shoqatën Europiane të Hulumtimeve në Arsim (EERA – European Educational Research Association).
Sipas njoftimit të Fakultetit, Këshilli i EERA-s miratoi anëtarësimin Kandidat të Kosovës në takimin e tij të fundit në Berlin, më 14-15 mars 2025, pasi ata kishin aplikuar në bashkëpunim me një grup hulumtuesish nga Fakultetet e Edukimit në Kosovë, Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe OJQ-të aktive në fushën e arsimit, si: Kosova Education Center (KEC), Teach For Kosova dhe ETEA.
“Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm drejt themelimit të një Shoqate Kombëtare të Kërkimeve Arsimore në Kosovë, forcimit të kërkimeve arsimore, nxitjes së bashkëpunimit midis studiuesve dhe rritjes së dukshmërisë së Kosovës në komunitetin kërkimor evropian.” – kanë thënë nga Fakulteti i Edukimit i UP-së, më 20.03.2025.
Fakulteti i Edukimit ka shpjeguar se kjo arritje për studiuesit e Arsimit në Kosovë do të thotë qasje në tarifa të reduktuara dhe mundësi të zgjeruara për një rol më aktiv në Konferencën Europiane për Kërkime në Arsim (ECER) të EERA-s. Ky Fakultet udhëhiqet nga dekani Blerim Saqipi.
“Mundësi më të mëdha për rrjetëzim, bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish me studiuesit kryesorë europianë; angazhim dhe dukshmëri më të madhe në 33 rrjetet kërkimore të EERA-s dhe Grupin e Studiuesve të Rinj (Emerging Researcher’s Group). Me padurim presim ndërtimin e një komuniteti të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës kërkimor, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit në Kosovë dhe më gjerë!” – kanë shtuar nga Fakulteti i Edukimit.
Ata kanë bërë të ditur se Shoqata Europiane e Hulumtimeve në Arsim është themeluar në vitin 1994 dhe është një rrjet i 40+ shoqatave kombëtare dhe rajonale të kërkimeve në arsim nga e gjithë Europa.
Sipas Fakultetit të Edukimit, misioni i EERA-s është: të nxisë bashkëpunimin midis studiuesve europianë në arsim, të përmirësojë cilësinë e kërkimeve dhe të promovojë shkëmbimin e ideve, të sigurojë këshilla të pavarura të bazuara në kërkime për politikëbërësit evropianë dhe të shpërndajë gjetjet kërkimore për të ndihmuar lidhjen midis politikave dhe praktikës.