Komuna e Mitrovicës së Jugut ndërpret punimet për ndërtimin e “Barnatores Qendrore” në Spitalin e Mitrovicës, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Komuna ndërpret punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin e Mitrovicës, thotë se Ministria nuk mori leje për ndërtim

Më 28.10.2024 Ministria e Shëndetësisë ka filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut. Ndërsa më 20.11.2024 Komuna e Mitrovicës së Jugut i ka ndërprerë këto punime sepse, sipas Komunës, Ministria nuk ka marrë leje për ndërtim.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 20.11.2024 ka njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.

“Për vite të tëra, barnat dhe materialet farmaceutike në këtë spital mbaheshin në korridore, gjë që cenonte si cilësinë, ashtu edhe sigurinë e tyre. Ky projekt i jep fund kësaj gjendje. Objekti me sipërfaqe prej 300 m² do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale, si dhe ambiente të përshtatshme e të dinjitetshme për stafin”- ka thënë Vitia.

Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e ndërpreu Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.

Kështu tha për KALLXO.com drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.

“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë edhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me mbikëqyrë. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- tha ai.

Drejtori shtoi se derisa të pajiset me leje nuk mund të avancojë me ndërtim, në të kundërtën nëse bëhet një gjë e tillë do të ndërmirren masat si shqiptimi i gjobave e rrënimi i objektit.

KALLXO.com sjell foto nga vendi ku po ndërtohej objekti dhe shihet se punëtorët nuk janë duke punuar.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ndërpret punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin e Mitrovicës, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com