Parregullsitë në ditën e Zgjedhjeve, kamerat e KQZ-së u përdoren për nisjen e hetimeve

Të gjitha parregullsitë e regjistruara në ditën e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, nëpër vendvotime u kapën nga kamerat të cilat u përdorën për herë të parë në një palë Zgjedhje të përgjithshme në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes procedurave të prokurimit, kishte blerë 2,500 kamera të cilat u vendosën nëpër klasë, ku votohej në ditën e Zgjedhjeve. Pamjet e xhirimeve të kamerave, siç ishte thënë, do të shfrytëzoheshin vetëm nga organet e Drejtësisë, në rast të parregullsive nëpër vendvotime.

KALLXO.com ka pyetur shtatë Prokuroritë në shtatë rajone të Kosovës, për të kuptuar nëse pamjet e filmuara gjatë votimit u përdorën për t’i hetuar parregullsitë.

Në ditën e Zgjedhjeve u regjistruan disa parregullsi e për disa raste u autorizuan organet e rendit t’i merrnin pamjet e xhiruara nga kamerat e KQZ-së.

Një rast i tillë ishte në Komunën e Gjakovës. Mbi dyshimet e ngritura për manipulim me vota, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i marrë pamjet nga kamerat e vendosura në vendvotime.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se nga Prokuroria Themelore Gjakovë, është një (1) rast i ditës së Zgjedhjeve në Gjakovë – lidhur me pretendimet e një partie politike për manipulim të procesit zgjedhor.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve, duke përfshirë kamerat dhe mbledhjen e informacioneve lidhur me këtë rast dhe nëse ka elemente të veprës penale, do të vazhdohet me procedurë të mëtutjeshme.” – thuhet tutje në përgjigje.

Edhe në Komunën e Pejës u regjistrua një rast ku dyshohet për parregullsi në ditën e Zgjedhjeve. Në Qendrën e Numërimit në këtë qytet Prokuroria Themelore e Pejës mori pamjet nga kamerat e KQZ-së.

Organi i hetimit nuk dha më shumë detaje për rastin.

“Ne si Prokurori kemi një rast, ku kemi kërkuar incizimin e kamerave, brenda pikës së numërimit të votave në palestrën sportive  ‘Karagaqi’ në Pejë. Gjithashtu, janë dhënë autorizimet shtesë për Policinë e Kosovës, që të sigurohen edhe video-incizime të tjera të këtij vendi, të cilat mund të përmbajnë edhe audio për t’i sqaruar dhe verifikuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Pejës.

Në Zgjedhjet e 9 shkurtit, në tërë vendin ishin 941 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,533 vendvotime.

Në Prokuroritë e tjera nuk pati rasti kur u urdhërua kontrollimi i xhirimit të kamerave të KQZ-së, për të hetuar ndonjë parregullsi. Këtë për KALLXO.com e konfirmoi Prokuroria e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajit dhe Gjilanit.

Megjithatë, në Gjilan pati raste të cilat i trajtoi Prokurori i Shtetit.

“Ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Gjilan, gjatë procesit të fundit zgjedhor, kanë qenë të evidentuara dy raste. Njëri rast me udhëzime të Prokurorit të Shtetit, në mungesë të provave është mbyllur me shënim zyrtar në Polici, ndërsa rasti tjetër pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është mbyllur nga Prokurori i rastit.” – thuhet në përgjigje.

Në Ferizaj u trajtuan gjithashtu raste dhe Ankesa rreth procesit të votimit nga Prokuroria e këtij rajoni.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka rast në Komunën e Shtimes, për shkak të pretendimeve të disa partive politike në lidhje me fletëvotime të pavulosura pas numërimit të tyre dhe dyshimeve për metodën ‘Treni bullgar’. Lidhur me këtë, Prokuroria ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve hetimore dhe për grumbullimin e informacioneve, lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Vlen të theksohet se këto dy raste nuk janë lëndë të cilat janë pranuar në Prokurori me Kallëzim penal, mirëpo janë PPN që nënkupton lëndë të ndryshme penale (Raporte, informata, apo Kërkesa të ndryshme).” – sqaroi Prokuroria.

Parregullsi u evidentuan edhe në rajonin e Mitrovicës. Prokuroria Themelore po e trajton atje një rast për vendim të fshehtësisë së votës.

“Për një rast që ka ndodhur ditën e Zgjedhjeve në Vushtrri kanë filluar hetimet për një (1) person, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “cenimi i fshehtësisë së votimit”. Të dyshuarit i është sekuestruar telefoni për ekzaminim.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Në Zgjedhjet e fundit parlamentare, më 14.02.2021, disa persona u përballen me Ligjin për Manipulim të votave. Atë kohë, ishin arrestuar dy persona për vjedhje të votave dhe marrje ryshfeti.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur Aktakuzë për manipulim të votave dhe rezultatit zgjedhor për Zgjedhjet e vitit 2021, për tetë persona të tjerë. Në mesin e personave të cilët ngarkoheshin me Aktakuzë ishte edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala.

“H.Sh., ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  të pandehurve S.M., A.K., I.H., G.H. dhe D.G., që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P.” – njoftonte Prokuroria, më 30.12.2022.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për Deputete, M.H.S., nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H.Sh. ia kanë shtuar 3 vota. Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H.Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M.H.S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.” – thuhej në njoftim.

Ku dhe si do të vendosen kamerat vëzhguese nëpër Qendrat e Votimit në ditën e Zgjedhjeve?