Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK
Anulohen konkurset për drejtorë të spitaleve të Mitrovicës e Ferizajit dhe të Qendrave të Shëndetit Mendor
Janë anuluar konkurset për drejtorë të spitaleve të Mitrovicës dhe Ferizajit, për drejtor të Qendrës për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë, në Shtime dhe për drejtorë të Qendrave të Shëndetit Mendor, në shtatë rajonet e Kosovës.
Ky Vendim u mor nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), më 05.12.2024.
Arsyeja e anulimit – sipas Vendimit – është hyrja në fuqi e Rregullores për procedurën e pranimit të nëpunësve të Shërbimit Publik në sektorin e Shëndetësisë.
Kjo Rregullore ka hyrë në fuqi një muaj më parë, më 01.11.2024, pas hapjes së këtyre konkurseve.
Siç thuhet në arsyetim, Rregullorja përcakton procedura të reja. Si dhe, për të garantuar që proceset e rekrutimit janë në përputhje të plotë me të është vendosur anulimi i konkurseve.
“Do të ndërmerren veprime për rishpalljen e konkurseve, duke iu përshtatur rregullave të reja të përcaktuara, me Rregulloren nr. 30/2024. Luten të gjithë kandidatët që të përcjellin njoftimet e radhës për shpalljet e reja.” – thuhet, më tej, në Vendim.
KALLXO.com pati raportuar më 22.11.2024 se kandidatja për drejtoreshë të Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, e cila veçse mban këtë pozitë si ushtruese e detyrës, është parë në organizimet e tubimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Për të pyetur rreth pozitës së Nushit në instancat e Vetëvendosjes, KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së, Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, si dhe kryetar i degës së LVV-së në Prishtinë. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.
KALLXO.com s’ka mundur të marrë përgjigje as nga vetë Nushi. Edhe pse, këtë provoi ta bëjë përmes thirrjeve, mesazheve e vizitës në Spitalin e Mitrovicës.