
Flamuri i SHBA-së, Foto: Pixabay
Arrestimi i turistëve europianë në kufi ngjall frikë udhëtimi drejt SHBA-së
Lennon Tyler dhe i fejuari i saj shpesh kanë bërë udhëtime tokësore drejt Meksikës kur ai i kalonte pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, meqë mjaftonte një ditë udhëtimi me makinë nga shtëpia e tij në Las Vegas, një prej vendeve ku ata kalonin bashkë në marrëdhënien e tyre me distancë të largët banimi – raporton Agjencia e lajmeve AP.
Por, gjërat shkuan tmerrësisht keq kur ata u kthyen muajin e kaluar nga Tijuana.
Agjentët amerikanë e prangosën Tylerin, me shtetësi amerikane dhe e lidhën për një stoli, derisa të fejuarin e saj, Lucas Sielaff, e akuzuan për shkelje të rregullave të lejes 90-ditore të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara – ka bërë të ditur çifti. Autoritetet më vonë e prangosën Sielaffin dhe e dërguan në një Qendër të mbipopulluar të emigrantëve. Ai i kaloi gjashtëmbëdhjetë ditë i mbyllur para se të lejohej të kthehej me aeroplan në vendlindjen e tij në Gjermani.
Ndryshimi me kthimin e Trumpit
Prejse presidenti Donald Trump ka marrë detyrën, ka pasur edhe incidente të tjera të profilit të lartë, si Sielaff, që janë ndalur në pikëkalimet kufitare amerikane dhe janë mbajtur në Qendra amerikane Emigrantësh për javë të tëra, para se të dëboheshin në vendlindje me shpenzimet e tyre të fluturimit.
Në mesin e tyre përfshihet edhe një turiste e cila ishte ndaluar në pikëkalimin kufitar në Tijuana, më 25 janar. Jessica Brosche u mbajt gjashtë javë në Qendër mbajtjeje – përfshirë një javë në qeli – ka thënë një shoqe e saj.
Në kufirin kanadez, një turist me një çantë shpine nga Uellsi i kaloi gati tre javë në një Qendër Paraburgimi përpara se të fluturonte në vendlindje këtë javë. Dhe, një grua kanadeze me vizë pune e ndaluar në kufirin e Tijuanas u mbajt 12 ditë në paraburgim përpara se të kthehej në shtëpi fundjavën e kaluar.
Sielaff, 25 vjeç, dhe të tjerët thonë se kurrë nuk iu bë e qartë pse u mbajtën në Paraburgim edhe pasi iu ofrua të ktheheshin vullnetarisht në vendlindje.
Pedro Rios, Drejtor i Komitetit të Shërbimit të Miqve Amerikanë, organizatë jofitimprurëse që ndihmon emigrantët, ka theksuar se në 22 vjetët që ka punuar në kufi, nuk ka parë kurrë udhëtarë nga Europa Perëndimore dhe Kanadaja, aleatë të vjetër të SHBA-së, të arrestohen dhe paraburgosen si tani.
“Është padyshim e pazakontë me këto raste kaq afër njëra-tjetrës dhe arsyetimi për ndalimin e këtyre njerëzve nuk ka kuptim.” – ka deklaruar ai. “Kjo nuk justifikon trajtimin dhe kushtet e neveritshme”, që ata duruan. Ai mendon se arsyeja kryesore pse po ndodh kjo buron prej frymës anti-emigrante, që po dominon pas kthimit të Trumpit në pushtet.
Ndalesa e paralajmëruar
Autoritetet amerikane nuk i kanë ofruar AP-së numrin e emigrantëve ilegalë të cilët janë futur në Shtetet e Bashkuara, ose arsyet e arrestimit të shumë turistëve.
Incidentet po nxisin ankth në kohën kur Administrata e Trumpit po përgatit një ndalesë për udhëtarët nga disa vende. Duke spikatur politikat federale në “evoluim” për udhëtimet, Universiteti i Kalifornisë në Lox Anxhelos ka nxjerrë një njoftim këtë javë – duke u bërë thirrje studentëve dhe stafit me shtetësi të huaj që të kenë parasysh rreziqet e udhëtimit të panevojshëm për pushimet pranverore; duke paralajmëruar se “kërkesat e rikthimit mund të ndryshojnë gjatë kohës sa do të jenë jashtë, duke ndikuar edhe rikthimin tuaj”.
Agjencia e Migracionit dhe Doganave i ka dërguar një letër elektronike AP-së se Sielaff dhe Brosche, të cilët janë mbajtur 45 ditë në paraburgim, nuk kishin përmbushur kushtet ligjore për hyrje në territorin amerikan sipas rregullave të Mbrojtjes Kufitare dhe Doganave. Kjo Agjencia ka thënë se nuk mund të diskutojë specifika të rasteve, porse “nëse shkelen statutet ose kushtet e vizave, udhëtarët mund të jenë subjekt të paraburgimit” dhe riatdhesimit. Agjencia nuk ka komentuar raste të tjera.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com