Shkarkimi i Dakës, opozita e konsideron tendencë për qeverisje autoritare

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në seancën e Kuvendit të Kosovës ka ngritur çështjen e shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Ajo tha se PDK e konsideron këtë vendim si politik dhe është një tendencë për një qeverisje autoritare.

“PDK këtë vendim e konsideron si një tendencë për një qeverisje autoritare e cila provon që të vë në kontroll në të gjitha institucione kyçe. Shkarkimi është politik dhe godet rëndë demokracinë dhe cenon institucionet e pavarura”, tha ajo.

Sipas saj, po ashtu shkarkimi i saj mund të rrezikojë edhe zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.

“Për më tepër, shkarkimi po bëhet pas zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike  në vend dhe pas një vlerësimi pozitiv të këtij institucioni nga të gjitha aktorët. Vendimi po ashtu rrezikon mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, kurse KQZ në fazë të përgatitje ka pasur më së shumti nevojë për stabilitetit”, tha Deliu.

Deliu thekson se presidentja Vjosa Osmani ka zbatuar urdhrin e kryeministrit, Albin Kurti.

“Dhe ky shkarkim është kryekëput për kapjen e institucioneve, presidentja me këtë vendim ka shkelur kushtetutën duke zbatuar urdhrin e Albin Kurtit dhe vetëvendosjes për ta kapur një institucion të pavarur”, tha ajo.

Edhe deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj tha se vendimi për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës paraqet një precedent të rrezikshëm.

“Me të drejtë mund të konstatohet si një vendim skandaloz mes të cilës cenohet rëndë integriteti dhe pavarësia e institucioneve të pavarura. Vendimi i tillë nuk mund të kuptohet ndryshe pos përpjekje për realizim të qëllimeve partiake për kapjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura”, tha ai.