Bislimi mohon ta ketë nip të propozuarin për anëtarë të KShC

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka mohuar ta ketë familjar anëtarin e propozuar nga Qeveria për Këshill Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Gëzim Tosunin.

Bislimi, në raportimin e tij në Komisionin për Integrime Evropiane, u pyet nga deputetja Blerta Deliu nëse ka ngritur dorën për të votuar në mbledhje të qeverisë për Gëzim Tosunin, për të cilin deputetja pretendonte që e ka nip.

“E gjithë kjo flluskë është budallallëk sepse nuk e kam nip Gëzim Tosunin. Unë kam dërguar ankesë në komisionin për media, dhe do të bëjë padi për pseudo portalin Insajderi”, tha ai.

Më 21 maj me shumicën e votave është miratuar vendimi i propozuar nga Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Nagvaci ka bërë të ditur se në KSHC aktualisht ka dy anëtarë vendorë me mandat, ndërsa ka propozuar miratimin edhe të katër anëtarëve vendorë dhe tre anëtarë ndërkombëtarë.

“Emrat e propozuar janë: Hasnije Iljazi nga fusha e edukimit, shkencat humane dhe arti, Gëzim Tosuni nga fusha e shkencave shoqërore, biznesi dhe drejtësia, Krenare Pireva-Muqi nga shkencat e natyrës, matematika kompjuterike dhe inxhinieria, Seb Bytyqi nga shkencat shoqërore, biznesi dhe drejtësia, Alison Felce, Cassie L. Barnhardt dhe Werner J. Stuber”, ka thënë Nagavci.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë është autoritet i pavarur i cili akrediton dhe riakrediton institucionet publike dhe private të arsimit të lartë të një periudhë të caktuar kohore.

Në fillim të muajit prill, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur konkursin për anëtarë të ri të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), pak kohë pasi ky bord mbeti jofunksional.

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Cilësisë që do të dërgohen në Kuvend (kallxo.com)