Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

VIDEO - Deliu Kodra: Prej kujt është duke u fshehur kryeministri Kurti?

Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar për mos-transparencë në dialog kryeministrin Albin Kurti.

Sipas saj, përmbajtja e planit për të cilin ka rënë dakord dje qeveria e Kosovës ende vazhdon të mbetet mister.

“Sanksionet nuk na u hoqën, Serbisë sanksionet nuk iu vendosën, përfunduam me pranimin e një drafti të asociacionit nga kryeministri Kurti ndërkohë që Kosova nuk fitoj asgjë. Për më tepër qytetarët, shoqëria civile madje as ne deputetët nuk kemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti” – tha ajo.

Deputetja Deliu-Kodra pyeti se përse po fshehet kryeministri Albin Kurti dhe nuk po ofron informacione për dialogun.

“Cili është drafti i pranuar, cila është materia, pse kaq shumë jo transparencë, prej kujt është duke u fshehur kryeministri Kurti, prej qytetarëve të Kosovës. Pra cili është mesazhi i këtyre zhvillimeve të fundit”- tha ajo.

“Sa herë që Serbia e sulmon Kosovën, Kosova duhet të lëshoj pe diçka ndaj saj, na sulmoi më 24 shtator dhe më 26 tetor Albin Kurti e pranoi një draft të asociacionit”- tha ajo.

“Mesazhi është i qartë sepse politika jonë e jashtme, diplomacia jonë, përveç se e ka përmbysur në tërësi paradigmën se nuk merremi vesh me Serbinë për asgjë deri sa të merremi vesh për gjithçka, kryeministri Kurt i ka bërë dëm të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti, sepse njohja reciproke nuk është askund”- shtoi ajo.

Dje Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur pajtim për propozimin e ri evropiano-amerikan për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

Kryeministri Albin Kurti tha që ka qenë i gatshëm për nënshkrim, mirëpo pala serbe nuk ka pranuar.

Keqardhje për dështimin e djeshëm ka shprehur edhe shefi i diplomacisë evropian Josep Borrell.

Përmbajtja e planit të ri nuk është bërë publike.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Borrell: Jemi të brengosur nga ngërçi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë