Berisha: Nëse e bën 'Zajednicën' dije që do të jesh Albin Kurt Pashë Toptani i ri i Kosovës

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka ndryshuar qëndrimet e tij të cilat i ka pasur kur ka qenë në opozitë me pranimin e propozimit evropian.

Në vazhdimin e seancës së sotme të Kuvendit, e cila po mbahet tani, deputetët e PDK-së u shprehën kundër nënshkrimit të Planit franko – gjerman.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se nëse Kurti e bën “Zajednicën”, ai do të bëhet Esat Pashë Toptani i ri i Kosovës.

“Nëse e bën ‘Zajednicën’ dije që do të jesh Albin Kurt Pashë Toptani i ri i Kosovës” – tha ai.

Ai i bëri apel opozitës që të rreshtohet në luftë kundër “bashkim-vëllazërimit” modern me Serbinë, në refuzimin e Planit franko-gjerman, në Asociacionin pa njohje, refuzimin e draft-statutit për ‘Zajednicën” përmes së cilës, sipas tij, tentohet të rrënohet karakteri unitar i shtetit, karakteri laik i tij, për ta bërë shtet të regjionalizuar dhe ortodoks siç nuk është as vetë Rusia në Kushtetutë.

“Asociacioni i tillë siç është pranuar nga Qeveria Kurti është Kushtetuta e rajonit të Serbisë në Republikën e Kosovës” – tha Berisha.

Ai vazhdoi duke thënë se Vetëvendosje e ka pasur program elektoral zhbërjen e Dhomave Speciale, zhbërjen e “Zajednicës”, kërkim faljen e Serbisë, të pagjeturit e të tjera. prandaj, ftoi kryeministrin që t’i sjellë ato marrëveshje në Kuvend.

“Tani ka ardhë dita, urdhëro Albin, silli këto marrëveshje në Kuvend dhe t’i shfuqizojmë. Unë do të jem votë pro” – u shpreh deputeti.

Plani franko-gjerman, sipas Berishës, nuk i referohet në asnjë preambulë Kushtetutës, madje bën thirrje për harrimin e historisë.

Për bashkëpartiaken e Berishës, Blerta Deliun, kryeministri i Kosovës ëshë në betejë me veten e tij.

“Ai sot e ka betejën më të madhe me veten. Albin Kurti ka një betejë me Albin Kurtin e opozitës” – tha Deliu.

Ajo tha se Kurti me pranimit e Planit franko – gjerman amniston krimet e Serbisë për të cilat ka folur për vite të tëra. Këtë ajo e quajti tragjike, dhe të paparamendueshme.

“Një çështje tjetër problematike është pajtimi ose më mirë të them neutraliteti ndaj statusit, ndonëse kryeministri edhe sot provoi ta relativizojë atë duke na thënë se po keqlexojmë” – tha deputetja e PDK-së.

Nenin 7 të propozimimt franko-gjerman ajo e cilësoi si më skandalozin.

“Neni 7 që ka një pajtim për një nivel të ri pushtetesh, ndërkohë që theks i veçantë i jepet vetëmenaxhimit të komunitetit serb, mbështetje financiare nga Serbia dhe kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Pra është përtej Asociacionit dhe në këtë formë marrëveshja mund t’i hapë shumë rrugë problematike Kosovës” – shtoi ajo.