Shitja e dyshimtë e pronës në zyrat e noteres në Prishtinë
Një shtëpi në Prishtinë ka mbetur pezull dhe pa u bartur nga shitësi te blerësi si pasojë e një kontrate noteriale të përpiluar nga noterja Valdete Ademi.
Palët sot janë në hall pasi kontratën të cilën e lidhën nuk po mund ta zbatojnë.
Dyshimet dhe pretendimet janë se në zyrat e noteres Valdete Ademi u rrit çmimi nga 140 në 160 mijë euro.
E rritja e çmimit u bë mollë sherri mes palëve.
Burim Morina ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” se ai dhe gruaja e tij, Leonida Haskaj-Morina, në vitin 2021, kishin blerë një shtëpi në lagjen “Veternik” të Prishtinës nga familja Pevqeli.
Morina dhe shitësi i shtëpisë fillimisht kishin hartuar një marrëveshje me shkrim, të shkruar me dorë, e të cilën e kishin nënshkruar të dy.
Në atë marrëveshje ata ishin dakorduar që Burim Morina deri sa të bëhej bartja e shtëpisë në kadastër t’i paguajë shumën 7 mijë e 700 euro si kapar.
Marrëveshja për shtëpinë ishte që Burim Morina të paguajë edhe 100 mijë euro para dhe një banesë me dy dhoma gjumi në Fushë-Kosovë.
Pagesa për shtëpinë ishte paraparë të përfundojë në qershorin e vitit 2022.
Sipas blerësit, në rast se banesa nuk do të ishte pjesë e kontratës, palët ishin marrë vesh që shtëpia të paguhej me para dhe atë në shumën prej 140 mijë euro, siç dëgjohet edhe në audio-incizimet te noterja.
Për ta realizuar marrëveshjen e tyre, në tetorin e vitit 2022, palët ishin drejtuar te noterja Valdete Ademi në Prishtinë.
Deri këtu çdo gjë ishte në rregull.
Gjërat filluan të ndryshojnë kur noterja nuk pranon ta vërtetojë kontratën me çmimin me të cilin palët ishin dakorduar me pretekstin se çmimi i vendosur ishte çmim i ulët.
Siç dëgjohet edhe në audio-incizimi, noterja i njofton palët se për të arritur këtë marrëveshje çmimi në “letra” duhej rritur për 20 mijë euro, të cilat do t’i ktheheshin blerësit në momentin kur kryhet transferi bankar.
Pra, nga 140 mijë euro, vlera e shtëpisë në kontratë shkoj në 160 mijë dhe blerësi pranoj ta nënshkruajë kontratën pasi iu tha se 20 mijë euro do t’i ktheheshin porsa të kryhej transferimi.
Për ta realizuar këtë kontratë, blerësi Burim Morinës në fillim të këtij viti i pagoi 100 mijë euro përmes bankës.
Pak kohë më pas ai merr një letër për përmbarim të dhunshëm dhe atë jo në vlerën e marrëveshjes por në vlerën e kontratës që e kishte përpiluar noterja.
Sipas asaj letre, Morina i detyrohet familjes Pevqeli edhe 62 mijë euro të tjera.
“Unë ne vitin 2021 e kam ble një shtëpi në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës, me atë familjen që e shiste u morëm vesh me dhanë një kapar prej 7 e 700 euro deri sa të përkthehet shtëpia. Çmimi ka qenë me i dhanë 100 mijë euro para dhe një banesë në Fushë-Kosovë, mirëpo ajo marrëveshje u ndërrua tek noterja, e cila tha se kjo nuk kalon por t’i paguan 160 mijë dhe këta t’i kthejnë 20 mijë pasi të bëhet pagesa” – thekson Morina, i cili më tutje tregon se paratë e shënuara në kontratën e noteres iu kërkuan me përmbarim.
“Tash kjo familja që ma ka shitur shtëpinë nuk po do banesën qysh jemi marrë vesh por po kërkon paratë qysh janë në kontratën e noteres. Unë s’kam pranuar t’i paguaj dhe kam bërë prapsim në gjykatë dha tash çështja është në Gjykatën e Prishtinës”- tha Morina në emisionin “Kallxo Përnime”.
Burim Morina vendos t’i bëjë disa takime me noteren dhe t’i incizojë bisedat me të për ta faktuar se kontrata nuk ishte bërë sipas marrëveshjes por ishte rritur për 20 mijë euro.
Në bisedën e parë mes Burim Morinës dhe noteres Valdete Ademi (bisedë e incizuar nga Morina), dëgjohet Morina duke i kërkuar sqarime noteres se pse u rrit vlera.
“U kanë banesa me marrëveshje nëse s’ka bo kështu të kam thanë shkruaje 140 e ti e ke rritë për 20 mijë, ato 20 mijë unë nuk i jap. Po më prekën diku në pasuri unë s’kam me u ndal në burg, kam me u kalbë a ju s’keni me gëzu këtë që ma keni bo” – dëgjohet të ketë thënë Burim Morina në këtë audio-incizim.
Tutje, noterja dëgjohet duke thënë: “Unë gabimin tim kam me rregullu”.
Po ashtu, në incizimin e dytë noterja dëgjohet duke duke thënë se ajo e ka rritur vlerën në kontratë.
Gjithashtu, dëgjohet edhe shitësja e pronës, Nazife Pevqeli, e cila thotë se i do paratë aq sa janë të shkruara në kontratë.
Pastaj, në audio-incizim dëgjohet noterja duke bërë thirrje që 20 mijë eurot që i kishte shtuar në kontratë t’i ktheheshin blerësit.
Gjatë emisionit është transmetuar edhe një video-incizim i bërë në zyrën e noteres Valdete Ademi, ku Burim Morina e dëgjohet duke i thënë noteres se i ka shkaktuar dëm për 20 mijë euro.
Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” pas këtyre pretendimeve kanë vizituar zyrën e noteres Valdete Ademi për ta pyetur atë për pretendimet e familjes Morina.
Noterja nuk ka pranuar të flasë para kamerave por kishte dhënë sqarimet e saj se pse u rrit çmimi në kontratë.
“Kur e kanë marrë marrëveshjen me bo me shkrim kjo është e tyre, janë marrë vesh. Shtëpia edhe 4 ari vend, 400 metra katrorë, me kushtu 140 mijë euro, 100 mijë euro ky Burimi me gruan e tij me jua dhanë qëtyne edhe me jua ble një banesë e që banesa këtu shkruan 3-dhomëshe, në Fushë-Kosovë. Tu e analizu shkoi 2021-ta, 2022-ta, as s’jua paguan paret, as s’jua blen banesa. Nazifja, thotë po na e kemi lidhë marrëveshjen më 2021, thotë e po shkon edhe 2022 e 2023, ju po e shihni çka janë bo çmimet, qysh i blej tha 3 dhoma me 40 mijë euro ajo”-theksoi Ademi duke shtuar se kjo ka qenë arsyeje pse u rrit çmimi i pronës.
“Ata masandej vendosën me lanë çmimin 160 mijë familja shitëse se s’kemi çka me ble me 40 mijë euro dhe e kanë nënshkruar të dy” – shtoi ajo.
E pyetur se a ka incizime ku ajo e thërret palën shitëse dhe i thotë se 20 mijë euro nuk janë tuajat e duhet t’i ktheni, ajo u përgjigj: “Unë i kam thanë ktheji, por ajo me ka thanë s’ja kthej se s’kam çka blej me 40 mijë euro”.
Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” i kanë treguar dhe lëshuar audio dhe video-incizimet e bëra në zyrat e saj.
Noterja Ademi gjithashtu e ka pranuar se personin Xhemajl Arifi e ka familjar.
Ndërsa Burim Morina pretendon se Arifi i ka bartur në xhirollogarinë e gruas së tij 22 mijë euro dhe për këtë borxh Morina e ka peng një banesë në Fushë-Kosovë.
“Po, po, e vërtetë është. A po ngon, ta shpjegoj unë. Ke nevojë për do pare t’i qet dikush me transfer, me një afat. Nuk e njeh, unë e kam bo atë. Unë i kam gjetë paret”- theksoi noterja Valdete Ademi.
Ekipi i “Kallxo Përnime” ka arritur të kontaktojë me Xhemajl Arifin, personi i cili i ka gjetur 22 mijë euro dhe i ka transferuar tek gruaja e Burim Morinës.
Arifi thotë se nuk ka ndonjë interes rreth këtij transferi, por e ka bërë atë për ta ndalur një të keqe dhe me kërkesën e noteres Valdete Ademi.
“Shërbim njerëzor i kam bo për hir të noteres, kërkesë miqësore familjare, pa asnjë keqkuptim, pa asnjë shibël, kjo ka qenë krejt arsyeja e atij shërbimi se patën me u bo kërrsh me do jetima, një shitblerje, çka ka pasë ai e din noterja, e din se valla nuk e di kjo është krejt ajo. Shërbim noteres i kam bo o vëllau jem. Është në deklaratë të noterit aty, as s’ka interes, as s’ka kurrgjë. Qysh i ka marrë paret me transfer, me i kthy”- ka thanë Arifi.
Familja Pevqeli nga Prishtina përfaqësohet në procedurë përmbarimore nga avokati Nasuf Hasani.
Ky i fundit thekson se nuk e di si kanë shkuar bisedat mes dy familjeve në fillim por thekson se sipas të mbrojturve të tij borxhi nuk ishte paguar me kohë.
“Unë përfaqësoj familjen Pevqeli nga Prishtina në procedurën përmbarimore sepse borxhi i cili është dashur të paguhet nuk është paguar me kohë. Kjo familje e kërkon borxhin ashtu qysh është në kontratën e shitblerjes të hartuar te noteri” – theksoi Hasani.
Sot kjo çështje ka mbetur në Gjykatën Themelore të Prishtinë sepse familja Pevqeli kërkon edhe 20 mijë euro borxh të mbetur sipas kontratës së noteres e po ashtu edhe shpenzimet e tjera përmbarimore.
Në anën tjetër familja Morina ka bërë prapsim duke mos pranuar t’i paguajë paratë.