Ferizaj, nis edicioni 53-të i Festivalit të Teatrove

Me shfaqjen “Gënjeshtari” të Teatrin “Adriana Abdullahu” (Teatri “Adriana”) ka nisur mbrëmë (27.08.2023) edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF).

Edicioni sivjetëm i këtij festivali do të mbahet deri më 4 shtator 2023 në Ferizaj, me prezantimin e shfaqjeve nga disa teatro shqiptare, nga Kosova,  Maqedonia e Veriut e Shqipëria.

Edicionit të 53-të i FTF-së po mbahet pa mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke krijuar jo pak telashe për organizatorët e festivalit.

Besim Ugzmajli, drejtor Artistik i festivali ka thënë se sfidat kryesore për organimimin e këtij edicioni te FTF-së kanë qenë të aspektit financiar, pasi që dihet mirëfilli i telasheve të mosfinancimit nga MKRS. Ai ka thënë se  FTF u është bashkuar aktiviteteve për shënimin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt.

“Sfidat kryesore kanë qenë të aspektit financiar, pasi që dihet mirëfilli i telasheve të mosfinancimit nga MKRS. Organizimet e tilla duan shumë punë ë angazhim, por edhe nuk mund të bëhen të nivelit të synuar pa një mbështetje të fuqishme financiare e institucionale”- ka thënë ai, në një prononcim për KALLXO.com.

Dhjetë shfaqje teatrore janë paraparë të shfaqen gjatë edicionit të 53-të të FTF-së.

Ugzmajli ka thënë se përveç shfaqjeve gjatë këtij edicion, do të mbahen edhe panele diskutimi e punëtori për teatrin.

“Përveç programit të shfaqjeve që përbëhet nga shfaqjet kryesisht më të suksesshme të vitit, ne kemi pjesë të programit dy panele diskutimi përmbajtjesor për festivalin dhe qytetin e Ferizajt në 150 vjetorin e tij, gjithashtu kemi edhe dy master-class që flasin për dramën dhe regjinë”- ka thënë Ugzmajli.

Sipas tij, pjesë e rëndësishme e programit janë edhe ndejat që janë 9 sosh me artistë të njohur shqiptarë.

Sonet, duke filluar nga ora 19:00 në program është shfaqja e dramës “Gadjo”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë dhe Qendrës Multimedia në Prishtinë.

Edicioni i 53-të i FTF-së do të mbyllet me ndarjen e 9 çmime për më të mirët e këtij edicioni.