Shërbimi Korrektues tani edhe me kategori ligjore, synohet avancimi dhe zhvillimi i burgjeve

Shërbimi Korrektues i Kosovës po synon që përmes kategorisë ligjore të krijoj avancim dhe zhvillim të burgjeve.

Me anë të një njoftimi të SHKK-së, gjatë ditës së sotme nën udhëheqjen e drejtorit të SHKK-së, Nehat Thaçi, Grupi punues ka përfunduar punën duke e hartuar Projektligjin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Grupi Punuese për Hartimin e Projektligjit të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka përfunduar hartimin Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës. I tërë aktiviteti i grupit punues ishte në funksion të plotë të përmbushjes së obligimeve, të cilat dalin nga Plani i Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2020-2021 dhe Programi Legjislativ për vitin 2020”, thuhet në njoftim.

Në këtë grup punues sipas njoftimit, kanë qenë të përfshirë  ICITAP, Departamenti Ligjorë i Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Departamenti për Integrime Evropiane MD, Sindikata e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit, Eulexit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Organization for Security and Cooperation in Europe (OSBE), Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si dhe përfaqësues nga Shoqata e Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës  me ketë Projektligj synon që të arrijë objektivat e saj me qellim të avancimit dhe zhvillimit të Shërbimit Korrektues të Republikës së Kosovës, si një mekanizëm i rëndësishëm në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka vlerësuar se rregullimi i fusheveprimtarisë, kompetencave, organizimit të brendshëm, reformimin dhe avancimin sa më lartë të  Shërbimit Korrektues të Republikës së Kosovës është njëkohësisht në funksion të krijimit të kushteve për trajtimin e të burgosurve sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtarë.

“Përmes këtij rregullimi ligjor, po ashtu  synohet  të ketë efekt edhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e veçanërisht në SHKK-në si njëri ndër institucionet me rendësi vitale për korrektimin dhe risocializimin e të burgosurve që të njëjtit pas përfundimit të burgut ti kthehen familjes dhe shoqërisë si qytetar të dobishëm”, ka thënë SHKK.