Shefi i UNMIK-ut: Agjendat personale dhe politike duhet të lihen anash për të shpëtuar jetë

Udhëheqja e fortë dhe uniteti politik janë të nevojshme në Kosovë tani më shumë se kurrë, pasi beteja po zhvillohet kundër “sfidës së madhe” të paraqitur nga COVID-19, tha Shefi i UNMIK Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit.

Pasi filloi raportimin e tij të rregullt duke shprehur ngushëllime për të gjithë në Kosovë, jetët e të cilëve janë prekur nga virusi global, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm Zahir Tanin, foli për ndjeshmërinë e veçantë të Kosovës ndaj kërcënimit të një shpërthimi më të gjerë.

“Edhe pse përpjekje heroike janë duke u bërë nga personeli mjekësor, resurset e kujdesit shëndetësor të Kosovës janë duke arrirë limitet e tyre”, tha ai.

Tanin përgëzoi veprimin e shpejtë të ndërmarrë nga autoritetet e shëndetit publik për të vendosur masat që zvogëlojnë përhapjen e virusit; dhe përshëndeti ndihmën financiare të ardhur nga shtetet anëtare, si kredinë prej 100 milion eurosh nga Bashkimi Evropian dhe kredinë urgjente të Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 56.5 milion dollarëve – ndërsa kërkoi mbështetje më të drejtpërdrejtë për më të prekurit.

Ai gjithashtu shprehi shqetësimet për paqëndrueshmërinë e brendshme politike, përfshirë votimin e mocionit të mosbesimit më 25 mars.

“Është një tipar për keqardhje, që në rrethanat aktuale në Kosovë, ndarjet politike kanë shpërqendruar vëmendjen e shumë liderëve nga kriza shëndetësore. Këto ndarje kanë zvogëluar besimin e publikut në udhëheqjen politike gjatë një kohe të një ankthi dhe pasigurie të rritur të popullsisë”, shtoi ai

Tanin nënvizoi se një qeveri e fokusuar, mobilizimi i njerëzve dhe resurseve, dhe udhëheqja e fortë, janë tri elementet thelbësore për sukses në mposhtjen e COVID-19.

“Unë ju bëj thirrje liderëve politikë … të fokusohen në unifikimin e energjisë së tyre duke lënë anash agjendat personale dhe politike.”

Ai po ashtu pasqyroi veprimet pozitive që po ndërmerren si në Mision ashtu edhe jashtë tij.

Shembuj pozitiv e shumë të nevojshëm të “koordinimit ndërkomunitar dhe ndërmjet kufijve administrativë “, sipas tij përfshijnë:

Komunikimi dhe koordinimi i përmirësuar midis autoriteteve shëndetësore në Prishtinë e Beograd, i cili mundësoi dhurimin e testeve nga Serbia dhe lëvizjen e lirë të mallrave esenciale përmes kufijve administrativë;

Pranimi i operatorit kosovar të energjisë KOSTT nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji, që do të avancojë efikasitetin rajonal të energjisë;

Emërimi i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, për të çuar përpara dialogun Beograd-Prishtinë;

Iniciativat e fundit në infrastrukturën dhe transportin e përbashkët, nën përkujdesjen e të dërguarit special të presidentit të SHBA-ve.

Dhe heqja preliminare e tarifës 100 përqind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Tanin elaboroi se si UNMIK-u dhe UNKT po e përshtatin punën e tyre gjatë pandemisë, duke siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë për komunitetet e prekura dhe komunat; duke ndihmuar autoritetet lokale të shëndetit publik; duke punuar së bashku me mediat në shpërndarjen e informatave mbi shëndetin publik; duke reaguar ndaj rritjes për 36 për qind të dhunës në familje; dhe duke monitoruar nga afër të drejtat e njeriut.

Misioni gjithashtu ka ndërmarrë të gjitha masat për të mbrojtur stafin, pa asnjë rast të infektimit me COVID-19 të regjistruar deri më sot.

“Ne qëndrojmë së bashku me njerëzit e Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19.”

Përderisa pandemia ka sfiduar komunitete dhe popullata në mbarë botën, PSSP-ja Tanin lavdëroi liderët në ” dyja anët e kufirit administrativ “, të cilët po mbështesin njëri-tjetrin në luftën globale.

Siç theksoi Sekretari i Përgjithshëm, vetëm përmes solidaritetit dhe unifikimit të përpjekjeve mund të kemi sukses në përmbushjen dhe tejkalimin e kësaj sfide të madhe.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!