SHBA: Këshilltari special i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të vendosur nëse Trump ka imunitet nga ndjekja penale

Prokurori i posaçëm Jack Smith të hënën i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të SHBA të vendosë nëse ish presidenti Donald Trump ka ndonjë imunitet nga ndjekja penale për krimet e supozuara që ai ka kryer gjatë kohës që ishte në detyrë – hera e parë që gjykata e lartë do të peshojë një kërkesë të tillë mbi ndjekjen historike të ish-presidentit.

Kërkesa e jashtëzakonshme është një përpjekje e Smith për ta mbajtur në rrugën e duhur gjyqin për përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve – të planifikuar aktualisht për në fillim të marsit. Smith po i kërkon Gjykatës së Lartë ta ndërmarrë hapin e rrallë të anashkalimit të një gjykate federale të apelit dhe të vendosë shpejt një çështje themelore të çështjes kundër Trump.

Ekipi i Smith i ka kërkuar gjykatës ta rishikojë vendimin e gjykatëses së qarkut, Tanya Chutkan, se si ish-president, Trump nuk është imun nga rasti i ndjekjes penale të përmbysjes së zgjedhjeve të sjellë në Uashington, DC. Avokatët e ish-presidentit kanë argumentuar se veprimet e supozuara të Trump mbi rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 ishin pjesë e detyrave të tij zyrtare në atë kohë dhe për këtë arsye ai mbrohet nga imuniteti presidencial.

Prokurorët gjithashtu i kërkuan gjykatës të vendosë nëse Trump mbrohet nga një rrezik i dyfishtë. Avokatët mbrojtës kanë pohuar se për shkak se Trump u lirua nga Senati gjatë gjyqit të tij të shkarkimit (impeachment), ai nuk mund të gjykohet penalisht për të njëjtat veprime të supozuara.

Më vonë të hënën, Gjykata e Lartë ka thënë se do ta përshpejtojë shqyrtimin e peticionit të Smith për të vendosur mbi çështjen nëse Trump e meriton imunitetin. Trump ka afat deri më 20 dhjetor për ta paraqitur një përgjigje.

Nëse Gjykata e Lartë do ta trajtonte këtë çështje, çështja e imunitetit të presidentit do ta anashkalonte vendimin nga një gjykatë apeli. Ekipi i Trump kishte kërkuar nga gjykata e apelit javën e kaluar që të shqyrtonte vendimin e Chutkan dhe gjithashtu i kërkoi Chutkan t’i pezullonte të gjitha datat e gjyqit ndërkohë.

Çështja në lidhje me mbrojtjen presidenciale të cilën Trump shpreson të përdorë si pjesë e mbrojtjes së tij duhet të zgjidhet përpara se të shkojë në gjyq, i cili është planifikuar për në muajin mars të vitit të ardhshëm./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala