Flamuri i SHBA-së, Foto: Pixabay
SHBA-ja akuzon katër ushtarë rusë për kryerje të krimeve të luftës
Katër rusë janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara për krime lufte, nën dyshimet se kanë torturuar një shtetas amerikan që jeton në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët.
Prokurorët amerikanë kanë thënë se shtetasi amerikan ka jetuar në Ukrainë prej vitit 2021, dhe nuk ka luftuar e as nuk ka marrë pjesë në luftë.
Ai është mbajtur për 10 ditë në prill të vitit 2022, dhe dyshohet se ka qenë subjekt i rrahjeve dhe talljeve për ekzekutim.
Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë këso akuzash, lidhur me luftën që zhvillon Rusia në Ukrainë.
Dy prej burrave të akuzuar janë identifikuar si oficerë komandues, Suren Seiranovich Mkrtchyan dhe Dmitry Budnik.
Dy tjerët janë ushtarë me emrat Valerii dhe Nazar, mirëpo mbiemrat e tyre nuk dihen, sipas dokumenteve të gjykatës.
Teksa i ka bërë publike aktakuzat, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka thënë se ky është “hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies për luftën ilegale të regjimit rus në Ukrainë”.
“Puna jonë është larg të përfunduarit”, kanë thënë ai, duke shtuar se Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka hetuar me dekada kriminelët nazistë të luftës, që kanë shkuar më vonë në SHBA.
“Departamenti i Drejtësisë dhe populli amerikan kanë kujtesë afatgjatë”, ka thënë Garland.
“Ne nuk do t’i harrojmë mizoritë në Ukrainë. Dhe nuk do të ndalemi kurrë së punuari për të sjellë drejtësi”.
Krimet besohet se janë kryer në fshatin Millove në juglindje të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL.