ShBA, Franca, Gjemania,Italia dhe Britania kërkojnë heqjen e taksës

Në një letër të cilën shtetet e kuitntit i kanë dërguar qeverisë së Kosovës është nënvizuar qartë kërkesa që Kosova të heqë taksën 100% për produktet Serbe dhe të riniset dialogu me Serbinë.

Letra në nisje tregon se Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

“ Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët” thuhet në letër.

Mesazhi nga 5 shtetet i bën më thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja duke kërkuar nga palët që mos ndërrmarrin veprime që pengojnë një marrëveshje përfundimtare.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës” thuhet në letër. Letra vie në kohën kur Kosova ka një qeveri të dorëhequr dhe vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Me vendim të qeverisë Haradinaj Kosova ka vendosur taksën 100% për të gjitha mallrat serbe. Vendimi ka rezultuar me ndërprerjen e procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe stopimit të negociatave të cilat ishin duke u zhvilluar me lehtësimin BE-së.