Shala: Kryetari i Suharekës punësoi rejën e vëllait si administratore në dy shkolla

Kreu i degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala, tha sot se kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, jo vetëm që shkeli premtimin elektoral mbi depolitizimin e arsimit, por ai shkeli edhe ligjin në shumë konkurse të punësimit.

Ai shtoi se në postet udhëheqëse të shkollave të kësaj komune u emëruan njerëz politikë, ndërsa si administratore shkolle, sipas tij, Muharremaj punësoi rejen e vëllait të tij.

Kreu i LDK-së, dega në Suharekë, Ardian Shala tregon se në cila shkolla u emëruan njerëz të politikës të kësaj partie

“Të emëruarit si drejtor shkollash, shumica prej tyre zyrtarë të lartë të AAK-së dhe familjarë të tyre. Drejtoresha e shkollës “Destan Bajraktari” ish-deputete e AAK-së, drejtori i Gjimnazit “Jeta e Re”, kandidat i AAK-së në Asamblenë Komunale në zgjedhjet e fundit. Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Jeta e Re”, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit nga AAK-ja, drejtori i Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi”, zyrtar i lartë i AAK-së, dega në Suharekë i zgjedhur nga vëllai i tij sa ishte drejtor i DKA-së,”, thotë Shala.

Ai gjithashtu përmend edhe shkollat në fshatra ku pati emërime politike.

Shala thotë se reja e vëllait të kryetarit Muharremaj u punësua si administratore.

“Po ashtu, administrator për shkollat “28 Nentori” Dobërdelan, dhe “Vaso Pashë Shkodrani” në Leshan, është punësuar reja e vëllait të kryetarit. Gjatë fushatës kishte premtuar se me të marrë pushtetin do të bëjë pagesën e udhëtimit të mësimdhënësve. Pasi e mori detyrën, filloi ta realizojë këtë premtim, duke ia dhënë tenderin për kryerjen e shërbimeve të udhëtimit për mësimdhënës  kompanisë trasnportuese të kryesuesit të Asamblesë Komunale. Përkundër faktit të konfliktit të interesit kjo firmë duket se keqpërdori këtë shërbim dhe si rezultat dështoi së implementuari në tërësi këtë premtim dhe nuk u përfundua kurrë”, shtoi Shala.

Në konferencën për media të partisë opozitare gjithashtu u tha se qeverisjen Muharremaj gjatë gjithë mandatit e kanë përcjell montimet e konkurseve ku shumë kohë më parë është ditur se kush do të zgjidhet përkatësisht kush do të rekrutohet.

Sipas Shalës, kjo dëshmohet edhe me faktin e përzgjedhjes së zëvendësdrejtorit dhe drejtorit në dy shkolla ku kandidatët e njëjtë kanë konkuruar në dy shkollat vetëm sa për t’i zgjedhur të preferuarit e tyre.

Shkelje tjetër sipas Shalës është punësimi i më shumë vetave sesa ishte paraparë me konkurs. “Rasti i fundit është ku drejtori e Arsimit shpall konkurs për 9 vende ndërsa rekrutohen 13”, tha ai.

I pari i LDK-së në degën e Suharekës, deputeti i Kuvendi të Kosovës, Ardian Shala, përmendi edhe gjetjet  dhe keqpërdorime në fusha të tjera nga Komuna e drejtuar nga Bali Muharremaj i AAK-së.