Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala, Foto: Ardian Shala/ Facebook

LDK: Qeveria duhet t’ua vazhdojë kontratat punëtorëve shëndetësorë që u angazhuan gjatë pandemisë

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar që Qeveria t’ua vazhdojë kontratat rreth 1 mijë e 500 profesionistëve shëndetësorë që u punësuan gjatë emergjencës së pandemisë me kontrata 3 dhe 6 mujore.

Sipas Ardian Shalës, deputet i kësaj partie, me mungesën e këtyre profesionistëve shëndetësore shërbimet mjekësore po vihen në pikëpyetje.

Shala në konferencë tha gjithashtu se shtimi i kapaciteteve shëndetësore duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Me reduktimin e stafit vaksinimi kundër COVID-19 do të rrezikohet në të gjitha komunat e Kosovës. Mungesa e infermierëve është evidente në çdo klinikë në QKUK, spitale rajonale dhe QKMF. Rast tipik është klinika Pediatrike që ka filluar rishtazi punën dhe që ballafaqohet me mungesa të mëdha të stafit”, tha Shala.

Gjithashtu ia përmendi edhe ikjen e mjekëve nga Kosova. Sipas tij, që nga janari 95 mjekë kanë shkuar në vende të tjera për të shërbyer duke e lënë Kosovën.

“Nga janari i këtij viti 95 mjekë kanë dalë nga Kosovë dhe shumë të tjerë janë në përfundim të procedurave. Shumë shërbime tash po rrezikohen pasi shumica nga stafi janë të lodhur. Mungesa e specializimeve dhe largimi i mjekëve nga puna do ta rrisë procesin e largimit të mjekëve i cili nëse vazhdon me këtë trend do ta rrezikojë komplet sistemin shëndetësorë”, tha Shala.