Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala, Foto: Ardian Shala/ Facebook

Anëtari i Kryesisë së LDK-së: Duhet të jemi konstruktivë për çështjen e presidentit

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ardian Shala ka deklaruar se partia e tij duhet të jetë konstruktive në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, përkatësisht për kandidaturën e Vjosa Osmanit për këtë pozitë.

Shala në një prononcim për KALLXO.com ka shtuar se LDK-ja nuk duhet të jetë kundërshtuese në këtë drejtim.

“Mendoj që ne duhet së paku të mbajmë një qëndrim të përbashkët, ai qëndrim me te cilin do të dalë LDK-ja, ai do të jetë qëndrim i joni, por më së shumti çka neve si LDK na ka hije, është konstruktiviteti, do të thotë ajo që nuk duhet të jemi diçka kundërshtues. Duhet të jemi në konstruktiv, kështu e shoh”, u shpreh ai për KALLXO.com.

LDK-ja sot në ora 16:00 pritet të mbajë mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Thirrjen e mbledhjes për në orën 16:00 e konfirmoi për KALLXO.com, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala.

“Është paralajmëruar diçka për një gjë të tillë, tash a mbahet…normal duhet me u mbajt. Po, në ora 16:00”, tha ai.

Shala ka folur edhe në lidhje me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje, dhe nëse pritet që të diskutohet edhe për çështjen e presidentit dhe kandidaturën e Vjosa Osmanit për këtë pozitë.

“Të them të drejtën, kështu material çka kemi me diskutu s’kam marr. Ndoshta mundet me qenë ajo ndër pikat, por nuk kam diçka material të tillë. Pikat s’i kemi në material”, theksoi ai.

Ditë më parë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se vota e tij në Kryesinë e partisë në lidhje me kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente do të jetë pozitive.

Ai ka lënë të nënkuptohet se do të votojë që LDK-ja ta mbështesë kandidaturën e Osmanit.

“Vota ime në Kryesinë e LDK-së pa dyshim që do të jetë në harmoni me këtë që do të jetë zëri i qytetarëve të Kosovës dhe i LDK-së e që besoj që do të jetë pozitiv dhe natyrisht që nëse është ky zë pozitiv unë do ta dëgjoj këtë zë në Kryesinë e LDK-së, pozitiv për t’u përzgjedhur [Vjosa Osmani]”, tha ai në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Të premten e javës së shkuar, KALLXO.com ka raportuar se ndonëse kanë kaluar disa ditë pas takimit mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kandidates për presidente Vjosa Osmanit, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ende nuk dihet se kur pritet që të dyja palët të mblidhen sërish.

Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars, është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.