Momqillo Perishiq në një konferencë për shtyp në vitin 2013 - Foto: Beta

Serbia rrit dënimin për gjeneralin e dënuar për spiunazh në të mirë të ShBA-së

Gjykata e Apelit e Beogradit ka lënë në fuqi dënimin e Momqillo Perishiqit, ish-shefit të shtabit të Ushtrisë Jugosllave dhe një ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, për dorëzimin e sekreteve shtetërore te Shtetet e Bashkuara në vitin 2002 dhe ka rritur dënimin e tij në katër vjet burg.

U konfirmuan gjithashtu dënimet me një vit e gjysmë burg secili për dy burra të tjerë të dënuar së bashku me Perishiqin , nënkolonelin Miodrag Sekuliq dhe civilin Vladan Vllajkoviq.

Duke shpjeguar pse e rriti dënimin e Perishiqit, Gjykata e Apelit tha se Gjykata e Lartë e Beogradit nuk i vlerësoi siç duhet rrethanat rënduese në gjykimin fillestar.

“Gjykata e Apelit, veçanërisht duke marrë parasysh disa poste të larta që Perishiq mbante pranë autoriteteve më të larta, dhe se si titullar i tyre ishte i detyruar të ruante vlerat themelore mbi të cilat bazohet sistemi juridik dhe siguria e shtetit, duke pranuar apelin e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë sipas të cilit Perishiq u dënua me katër vjet burg”, thuhet në vendimin e publikuar të mërkurën.

Perishiq u dënua për veprën penale të spiunazhit, ndërsa Sekuliq dhe Vllajkoviq u dënuan për zbulimin e një sekreti ushtarak.

Gjyqi filloi në vitin 2016 dhe ishte i mbyllur për publikun pasi prokuroria tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe dëshironin që dokumentet që dyshohet se iu kaluan ShBA-së të mbeten konfidenciale.

Perishiq u arrestua në mars 2002 në një hotel afër Beogradit, ndërsa po takonte diplomatin amerikan John David Neighbor, sipas rrëfimit zyrtar të rastit.

Të dy u arrestuan, por Neighbor u lirua shpejt për shkak se kishte imunitet diplomatik dhe SHBA-ja mohoi menjëherë që të ishte dorëzuar ndonjë e dhënë sekrete. Perishiq u vetëdeklarua i pafajshëm në gjyqin e tij.

Vendimi i Gjykatës së Apelit i të mërkurës më në fund zbuloi se cilat dokumente i dha Perishiq diplomatit amerikan.

Aty thuhej se kishte materiale për operacionet dhe zyrtarët e Ushtrisë Jugosllave në vitin 2001, si dhe procesverbalet nga mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave të mbajtura gjatë viteve 1999, 2000 dhe 2001 – “dokumente sekrete të cilat ai i kishte marrë me synimi për t’ia dorëzuar një shteti të huaj”.

Në kohën e arrestimit, Perishiq ishte kryetar i komitetit parlamentar për sigurinë e Asamblesë Federale Jugosllave dhe anëtar i komitetit qeveritar për kontrollin e sigurisë shtetërore.

Ai ishte gjithashtu lider i një partie politike, Lëvizja për një Serbi Demokratike, një nga 18 anëtarët e koalicionit qeverisës në atë kohë, i cili quhej Opozita Demokratike e Serbisë.

Çështja e spiunazhit u mbikëqyr nga gjykata ushtarake e Beogradit deri në vitin 2005, kur u transferua në një gjykatë të rregullt në kryeqytetin serb.

Por procedurat u pezulluan më pas kur Perishiq u dërgua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për t’u gjykuar për veprat që ai dyshohet se ka kryer gjatë kohës së luftës, ndërsa ai ishte shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave.

Në vitin 2013, dhoma e apelit e Gjykatës së Hagës vendosi se Perishiq nuk ishte përgjegjës për krimet e kryera gjatë kohës së luftës nga Ushtria Serbe e Bosnjës në Sarajevë dhe Srebrenicë, sepse nuk ishte nën komandën e Ushtrisë Jugosllave.

Dhoma e apelit e shpalli gjithashtu të pafajshëm për dështimin në ndëshkimin e vartësve të tij që morën pjesë në bombardimin e kryeqytetit kroat Zagreb gjatë luftës.

Prokuroria e Gjykatës së Hagës kërkoi në vitin 2014 që të rishqyrtohej vendimi në rastin Perishiq , por gjykata e refuzoi atë. BalkanInsight