Ndërtesa e Parlamentit të Serbisë

Serbia mban zgjedhjet parlamentare, lokale e krahinore

Serbia po mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

Të hapura janë 8.273 qendra votimi.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë në konferencën e parë për media se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“Materiali zgjedhor është i kompletuar dhe i saktë, dhe të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00”, ka thënë ai.

Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura deri më tani.

Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Kuvendin e Serbisë.

Ata do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Thirrje shqiptarëve në Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista.

Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar/REL/.