Serbi - Mbi 600 punonjës shëndetësor të prekur nga CoVid-19, ashpërsohen masat e lëvizjes

Serbia ka hyrë në javën e shtatë që kur është shfaqur pandemia CoVid-19 në këtë shtet.

Në 24 orët e fundit në Serbi janë shfaqur 372 raste të reja me CoVid-19, derisa numri i përgjithshëm ka shkuar në 5,690 persona.

Në trajtim spitalor janë 3,765 persona, nga të cilët 122 marrin trajtim nëpërmjet respiratorëve.

Shqetësuese për institucionet shëndetësore është numri i lartë i punonjësve shëndetësore të prekur me CoVid-19, që është 616 të prekur.

Shtatë persona kanë vdekur në 24 orët e fundit që ishin prekur nga CoVid-19, duke e rritur numrin  e viktimave në 110 persona.

Situata më e vështirë është në jug të Serbisë thonë nga institucionet e shëndetësisë, por megjithatë është situatë që mund të menaxhohet.

Në ora 17:00 fillon ora më e gjatë policore e cila do të zgjas deri ditën e martë në ora 05:00 të mëngjesit.

Kjo masë nga Qeveria e Serbisë është vendosur sepse në vikend ortodoksët kremtojnë festën e pashkëve, andaj Qeveria ka marrë këto masa për të parandaluar çfarëdo lëvizje të mundshme për të mos rritur rrezikun e përhapjes tash kur presin që të ketë rënie të rasteve të reja, raporton Rts.rs.

Serbia njihet si vendi në rajon që po kryen një numër të madh testimesh brenda 24 orëve, ndërsa numri i testimeve rritet vazhdimisht, kështu në 24 orët e fundit janë testuar 3,094 persona nga të cilët 372 rezultuan me CoVid-19.

Ndërsa në total në Serbi deri më sot janë testuar 32,566 persona.