Rusia sulmon Ukrainën

7:15

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putini”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba./REL

7:00

Presidenti amerikan Joe Biden i është përgjigjur atij që ai e quan një “sulm të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse”.

Ai thotë se “lutjet e gjithë botës janë me popullin e Ukrainës”.

“Presidenti Putin ka zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë një humbje katastrofike të jetës dhe vuajtje njerëzore,” thotë ai.

“Vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm, dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse.”

Biden thotë se do t’u drejtohet amerikanëve të enjten për pasojat me të cilat do të përballet Rusia.

Ai thotë se do të monitorojë situatën nga Shtëpia e Bardhë dhe do të takohet me udhëheqësit e G7 në mëngjes përpara se të njoftojë “pasoja të mëtejshme” për Rusinë.

Biden thotë se do të ketë një “përgjigje të fortë dhe të bashkuar” nga aleatët e NATO-s që pengon çdo agresion kundër anëtarëve të saj.

“Sonte, Jill dhe unë po lutemi për popullin e guximshëm dhe krenar të Ukrainës,” thotë ai./BBC

6:19

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten fillimin e “një operacioni special ushtarak” në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, duke pretenduar se “synon të mbrojë civilët”.

Në një fjalim televiziv herët në mëngjes me orën e Moskës, zoti Putin tha se ky “veprimi vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Ukraina”.

Ai tha se Rusia nuk ka qëllim të pushtojë Ukrainën, dhe se përgjegjësia, nëse do të ketë gjakderdhje, i takon “regjimit ukrainas”, sipas tij. Presidenti rus paralajmëroi vendet e tjera se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.

Presidenti amerikan Joe Biden reagoi menjëherë duke thënë se “vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia”, shtoi zoti Biden.

Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe aleatët perëndimorë se kanë injoruar kërkesën e Rusisë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për t’i ofruar Moskës “garanci sigurie”.

Ndër të tjera gjatë fjalimit televiziv, ai tha se “operacioni ushtarak rus synon të sigurojë çmilitarizimin e Ukrainës”. Sipas tij, të gjithë ushtarët ukrainas që do të dorëzojnë armët do të jenë në gjendje të largohen të sigurt nga zona e luftimit.

Zyrtarët amerikanë janë zotuar vazhdimisht të vendosin sanksione dërrmuese ndaj ekonomisë ruse dhe aleatëve të presidentit Putin, në rast të një pushtimi të mëtejshëm të Ukrainës.

Të mërkurën, Kremlini tha se rebelët në Ukrainën lindore i kërkuan Rusisë ndihmë ushtarake “për të shmangur agresionin ukrainas”.

Presidenti ukrainas reagoi më pas dhe hodhi poshtë pretendimet e Moskës se vendi i tij përbën një kërcënim për Rusinë dhe tha se një ndërhyrje ushtarake nga Rusia do të kushtonte dhjetëra mijëra jetë.

“Populli i Ukrainës dhe qeveria e Ukrainës duan paqe”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim emocional gjatë natës të së mërkurës.

Ai foli dhe në rusisht duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve rusë. Zoti Zelensky tha se ai kishte kërkuar të bisedonte në telefon me presidentin rus, por Kremlini nuk iu përgjigj.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha të mërkurën se forcat ruse të vendosura përgjatë kufirit me Ukrainën janë “gati” për fillimin e një sulmi, nëse marrin një urdhër për këtë.

Autoritetet amerikane thonë se Rusia ka mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe Bjellorusinë./VOA

Foto: Atdhe Mulla