Rusia ende po e shton ushtrinë e saj në kufirin me Ukrainën, thotë shefi i NATO-s

Rusia ende po i shton trupat e saj në kufirin ukrainas, tha shefi i NATO-s Jens Stoltenberg përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës mbi krizën.

Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi të martën se disa njësi ushtarake kishin përfunduar aktivitetet e tyre stërvitore dhe do të largoheshin nga kufiri.

Por SHBA dhe aleatët e saj kanë shprehur skepticizëm mbi këtë pretendim të Ministrisë së Mbrojtjes ruse.

Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ata po planifikojnë një pushtim pavarësisht grumbullimit të trupave pranë kufirit të Ukrainës.

“Ne nuk kemi parë ndonjë tërheqje të forcave ruse dhe, natyrisht, kjo bie ndesh me mesazhin e përpjekjeve të vërteta diplomatike [nga Rusia]”, tha Stoltenberg.

“Ajo që kemi parë është se ata kanë rritur numrin e trupave dhe se më shumë trupa janë në rrugë e sipër”.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha të martën se Rusia kishte grumbulluar më shumë se 150,000 trupa në kufirin ukrainas.

Megjithatë, ka pasur shpresë se një zgjidhje diplomatike e krizës është ende e mundur, me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov që tha se bisedimet duhet të zgjerohen dhe presidenti Vladimir Putin shtoi se Rusia nuk dëshiron luftë me Ukrainën.

Rusia përsëriti të mërkurën se do t’i kthejë më shumë trupa dhe armë në baza në atë që dukej të ishte një përpjekje për të shuar frikën se ata po planifikojnë ta pushtojnë Ukrainën.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video përmes së cilës shfaqeshin automjete të blinduara duke lëvizur nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Avionët luftarakë rusë fluturuan mbi Bjellorusi të mërkurën dhe parashutistët zhvilluan stërvitje si pjesë e lojërave luftarake.

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei tha se të gjitha trupat ruse do të largohen nga vendi pas përfundimit të stërvitjeve këtë fundjavë./Euronews