Rusia e akuzon Berlinin se po e shpie konfliktin 'në një nivel të ri konfrontimi'

Që kur Vladimir Putin urdhëroi tanket e tij përtej kufirit ukrainas në muajin shkurt, pak ka shkuar sipas planifikimit. ‘Blitzkrieg-i’ i Rusisë dështoi dhe konflikti ushtarak u bllokua në muajt e ngërçit të rëndë përpara se Ukraina të niste kundërofensiva të suksesshme në lindje dhe jug. Rezultati i luftës mbetet shumë i pasigurt dhe Putin është nën presion. Deklarata e tij e dëshpëruar e “mobilizimit të pjesshëm” çoi në protesta anembanë Rusisë dhe aneksimi i dështuar dhe i paligjshëm i katër provincave të Ukrainës tërhoqi zemërimin ndërkombëtar.

Miliona njerëz janë larguar nga Ukraina, ndërkohë që shumë ukrainas tjerë qëndruan për të luftuar kundër ushtrisë ruse. 

BE, SHBA dhe vendet aleate janë përgjigjur me sanksione dhe mbështetje ushtarake për Ukrainën. Javëve dhe muajve në vijim ndihma e SHBA-BE dhe aleatëve do të plotësohet edhe me tankset e shumëkërkuara nga perëndimi.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka miratuar dërgimin e 31 tankeve M1 Abrams në Ukrainë. SHBA e kishte rezistuar sigurimin e tankeve të veta M1 Abrams, duke u arsyetuar me mirëmbajtjen dhe sfidat logjistike me automjetet e teknologjisë së lartë. Më herët, presidenti amerikan kishte folur në telefon me liderët Emmanuel Macron të Francës, Olaf Scholz të Gjermanisë, Giorgia Meloni të Italisë dhe Rishi Sunak të Britanisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e falënderoi Bidenin për “vendimin e fuqishëm” dhe e përshkroi atë si “një hap të rëndësishëm në rrugën drejt fitores”.

Gjermania ka konfirmuar se do të vërë në dispozicion 14 tanke Leopard 2A6 për Ukrainën. Kancelari, Olaf Scholz, tha gjithashtu se qeveria e tij planifikon të dërgojë mbështetje të mëtejshme ushtarake në Ukrainë përtej tankeve. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e përshëndeti vendimin dhe tha se ai është “sinqerisht mirënjohës” ndaj Scholz.

Çelësi për sigurimin e tankeve për mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë ishte shpejtësia dhe numri i mjaftueshëm, tha Zelenskiy të mërkurën. “Çelësi tani është shpejtësia dhe vëllimet. Shpejtësia në stërvitjen e forcave tona, shpejtësia në furnizimin me tanke në Ukrainë. Numrat në mbështetjen e tankeve”- tha ai në video adresimin e tij të natës.

Duke rënë dakord për të dërguar Abrams, SHBA është në gjendje ta përmbushë kërkesën e kancelarit gjerman Scholz për një angazhim amerikan, por pa pasur nevojë t’i dërgojë tanket menjëherë. Në deklaratat publike, Uashingtoni dhe Berlini kishin mohuar çdo lidhje midis vendimeve të tyre përkatëse, megjithëse raportet e mediave thanë se zyrtarët gjermanë e kishin bërë të qartë privatisht se Leopardët ishin të kushtëzuar me një angazhim të ngjashëm nga SHBA.

Gjermania do t’a japë po ashtu miratimin e saj për vendet tjera evropiane që furnizojnë tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman nga stoku i tyre. Finlanda, Spanja dhe Holanda do të kontribuojnë në të njëjtin model, sipas raporteve të mediave gjermane. Një batalion i dytë do të përbëhet nga tanke Leopard 2A4 nga Polonia dhe Norvegjia.

Oferta e Gjermanisë ka nxitur thirrje për më shumë forca të blinduara të rënda nga qeveria e Ukrainës. Zelenskiy dhe ministrat e tij po kërkojnë gjithashtu ta thyejnë “tabunë” për sigurimin e avionëve të tillë si F16 të prodhuar në SHBA. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se ai ka folur me ministrin e jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, për ndihmë të mëtejshme ushtarake, duke përfshirë avionët luftarakë, një kërkesë që u është bërë vazhdimisht aleatëve të NATO-s pa sukses.

Ambasada ruse në Gjermani e ka akuzuar Berlinin se po e çon konfliktin në Ukrainë “në një nivel të ri konfrontimi”. Vendimi për t’a miratuar dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë do të thotë “refuzimi përfundimtar” i qeverisë gjermane “për t’i njohur “përgjegjësinë e saj historike” ndaj Moskës, thuhet në një deklaratë nga ambasadori Sergei Nechayev.

Kremlini zyrtar e ka minimizuar ndikimin që do të kenë tanket perëndimore, duke thënë se ndihma ushtarake për Ukrainën do të “shkojë kot sikurse të gjitha ndihmat tjera”. Në komentet për gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti transferimin e pritshëm të tankeve Leopard 2 dhe Abrams në ushtrinë ukrainase një “plan të dështuar”.

Zëdhënësi ushtarak i Ukrainës, Serhiy Cherevatyi, ka thënë se forcat ukrainase janë tërhequr nga qyteti lindor Soledar në rajonin e Donetsk, sipas transmetuesit shtetëror të vendit Suspilne. Tërheqja e forcave është bërë “për ta ruajtur jetën e personelit të shërbimit”, tha ai. Komentet e tij janë konfirmimi i parë ukrainas i kapjes së Soledar nga forcat ruse.

Një person u vra në rajonin e Khersonit për shkak të bombardimeve ruse, gjashtë të tjerë u plagosën dhe 10 të tjerë u plagosën në rajonin e Donetskut, sipas transmetuesit shtetëror të Ukrainës Suspilne. Ai tha se gjatë 24 orëve të fundit, Federata Ruse ka ekzekutuar katër raketa dhe 26 sulme ajrore, si dhe më shumë se 100 granatime nga sistemet e raketave të shumta lëshuese në Ukrainë.

Në Ukrainë, 15 zyrtarë të lartë i kanë lënë postet e tyre që nga e shtuna, gjashtë prej të cilëve u janë ngritur akuza për korrupsion nga gazetarët dhe autoritetet e Ukrainës kundër korrupsionit. Të mërkurën, prokurori i përgjithshëm Andriy Kostin nënshkroi urdhra për shkarkimin vullnetar të drejtuesve të prokurorive rajonale të Zaporizhzhia, Kirovohrad, Poltava, Sumy dhe Chernihiv. Oleksiy Kuleba, i cili u hoq nga posti i guvernatorit të Kievit të martën, është emëruar nënkryetar i zyrës së presidentit si pjesë e riorganizimit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala