Shumica e pjesëve të rrugës janë të asfaltuara, me përjashtim në disa vende. Foto: REL

Rrugëve të paligjshme nga Kosova në Serbi

“Po e bllokojmë veten”, thotë një prej qytetarëve që po udhëtojnë këto ditë nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, përmes rrugëve alternative, të cilat përfshijnë edhe kalime ilegale të kufirit.

Qysh më 10 dhjetor, kur grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë kah dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, shumëkush duhet të gjejë zgjidhje vetë.

Rruga përmes malit të Rogoznës është një prej opsioneve.

Në vend të rrugës kryesore nga Mitrovica e Veriut, përmes Leposaviqit, deri në pikën kufitare të Jarinjës, tani udhëtohet përmes Bajskës – Komuna e Zveçanit – dhe malit të Rogoznës, në rrugën e njohur si ‘rruga kah burimi’.

Këtë javë, ekipi i REL-it e përshkoi një pjesë të kësaj rruge.

Kjo rrugë alternative fillon nga fshati Bajskë i komunës së Zveçanit. Foto: REL

Nëpërmjet fshatrave Bare dhe Bërgjani, arrihet në Novi Pazar dhe më pas në Rashkë – të dyja komuna në jugperëndim të Serbisë.

Kjo rrugë, e cila është njëra prej disa rrugëve alternative në veri, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshin edhe një kalim të jashtëligjshëm të kufirit, sepse nuk ka vendkalim kufitar zyrtar.

Shumica e pjesëve të rrugës janë të asfaltuara, me përjashtim në disa vende. Foto: REL

Megjithatë, në dalje nga territori i Kosovës, në një objekt të improvizuar është vendosur postblloku i Policisë së Serbisë.

Në këtë vend, policia i legjitimon udhëtarët, ashtu si në vendkalimet e rregullta kufitare.

Postblloku i Policisë së Serbisë pas daljes nga territori i Kosovës. Foto: REL

Në këtë rrugë, përveç makinave, dy herë në ditë kalojnë edhe autobusë të kompanive private nga Mitrovica e Veriut. Siç ka marrë vesh REL-i, autobusët janë pothuajse plot me udhëtarë.

Nga bisedat me disa prej tyre, del se shumica udhëtojnë drejt Serbisë për shkak të obligimeve, qofshin shëndetësore apo të punës.

Video: Qytetarët në veri tregojnë se si po ua vështirësojnë lëvizjen barrikadat

Magjistralet kryesore drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, janë bllokuar pasi Policia e Kosovës  ka arrestuar më 10 dhjetor një ish-polic serb të këtij institucioni./REL