Foto: BBC/Twitter

Rrugët e qeta të fshatit papritur shndërrohen në fole të aktivitetit ushtarak

Jevhen Kozak jeton disa qindra metra larg fermës pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën, ku një raketë ra mbrëmë.

Ai i tha BBC-së se i njihte dy personat që kishin vdekur – një fermer dhe një burrë që punonte në dyqanin e fshatit, të cilin ai e përshkroi si “qendra e komunitetit”.

Një tjetër banor tha për agjencitë e lajmeve se viktimat ishin burra që punonin në një fabrikë lokale të tharjes së grurit. Mediat lokale thonë se njëri burrë ishte rreth 60 vjeç dhe tjetri, 62.

Disa media polake kanë emëruar personat, por zyrtarët e qeverisë ende nuk e kanë konfirmuar identitetin e tyre.

Me kalimin e ditës, disa autokolona me automjete ushtarake endeshin nëpër rrugët e qeta të fshatit.

Ushtarët kalonin përpara, ndërsa oficerët e policisë kërkonin për ndonjë provë në fushat aty pranë.

Shkolla fillore vazhdoi mesimin normalisht ndërsa shtypi, policia dhe ushtria u mblodhën jashtë.

Lidhur me rastin, Ukraina ka kërkuar qasje në vendin e shpërthimit në Poloni, aty ku ka rënë një raketë, e cila fillimisht u pretendua se ishte nga Rusia, ndërsa më vonë u tha se mund të jetë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Kremlini ka mohuar të ketë lidhje me shpërthimin. Udhëheqësit perëndimorë kanë qenë rezistentë për të fajësuar Moskën, me presidentin e SHBA-së Joe Biden, i cili ka thënë se nuk ka gjasa që raketa të ketë ardhur nga Rusia.