Donald Tusk - Foto: Facebook

Poloni - Donald Tusk kryeministër i ri

Parlamenti polak e ka mbështetur Donald Tusk si kryeministër të ri, duke i dhënë fund sundimit tetëvjeçar nacionalist dhe duke hapur rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Dhjetëra miliarda euro në fondet evropiane janë ngrirë për Poloninë për një mosmarrëveshje me Brukselin mbi standardet demokratike, por Tusk, një ish-president i Këshillit Evropian, po premton të përmirësojë marrëdhëniet dhe t’i zhbllokojë paratë.

Për Tusk, ish Presidentin e Këshillit Evropian, votuan 248 deputetë dhe 201 ishin kundër që ai të jetë kryeministri i ri.

“Ai hoqi dorë nga jeta e rehatshme që mund të kishte pasur pasi ishte president i Këshillit Evropian dhe u kthye… për të luftuar për fitoren e demokracisë, mirësjelljes dhe drejtësisë”- ka thënë Wladyslaë Kosiniak- Kamysz, udhëheqësi i Partisë së Fshatarëve Polakë (PSL), e cila është anëtare e koalicionit të Tusk.

Kryeministri i deritanishëm Mateusz Morawiecki nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) humbi një votëbesimi. Kritikët besojnë se PiS e ka minuar pavarësinë e gjyqësorit, e ka kthyer median shtetërore në një mjet propagande dhe i ka inkurajuar paragjykimet kundër pakicave si emigrantët dhe komunitetin LGBT.

Tusk do të paraqesë planin e qeverisë së tij në parlament së shpejti.

Jehona e kthimit të Tusk do të ndihet në të gjithë Evropën. Marrëdhëniet polako-gjermane u përkeqësuan gjatë viteve të pushtetit të partisë PiS për shkak të kërkesave të vazhdueshme të Varshavës që Berlini të paguajë më shumë se një miliard euro dëmshpërblime lufte. Qeveria polake e bëri këtë kërkesë sa herë që partia në pushtet kishte nevojë për një nxitje në votime.

Marrëdhëniet e Polonisë me Francën u tensionuan gjithashtu pasi qeveria e PiS kritikoi Presidentin Emmanuel Macron për përpjekjet e tij për ta kontaktuar Kremlinin . Me Donald Tusk të rikthyer në krye të Polonisë, këto tensione ka të ngjarë të lehtësohen dhe trojka e sigurisë Poloni-Francë-Gjermani mund t’i rikthehet punëve të lëna pezull.

Në Hungari, Orbán e ka humbur një nga partnerët e tij më të rëndësishëm. Budapesti dhe Varshava e kanë mbrojtur njëra-tjetrën duke vënë veton ndaj përpjekjeve për të nxitur të ashtuquajturën procedurë të Nenit 7, e cila u heq qeverive kombëtare të drejtën e tyre për të votuar në BE kur shkelen vlerat thelbësore të BE-së. Kur Kaczyński u mund, Orbán u bë i pambrojtur.

Mundësia që Tusk të udhëheqë sërish me Poloninë do t’i japë Ukrainës zyrtare një psherëtimë lehtësimi. Edhe pse Varshava e ka mbështetur fuqishëm Ukrainën gjatë dy viteve të luftës, tensionet kanë vluar mbi eksportet bujqësore të Ukrainës në muajt e fundit. Tusk, një kritik i gjatë i Rusisë, bëri thirrje për mbështetje të palëkundur për Kievin.

Tusk sigurisht që nuk do të jetë në gjendje ta ndryshojë Poloninë brenda natës. Koalicioni i tij Qytetar mori më pak vota se Ligji dhe Drejtësia, që do të thotë se ai do të duhet të mbështetet te partnerët e koalicionit. Ndërkohë, tetë vjet në pushtet u kanë dhënë forcave të Kaczyński-t mjaft kohë për t’u konsoliduar.  

Tusk do të duhet gjithashtu të përballet me aleatin e PiS, Andrzej Duda, presidentin me veto që i dha kryeministrit aktual Mateusz Morawiecki shansin e tij të parë (ndoshta të pasuksesshëm) për ta formuar qeverinë. Meqenëse zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk do të mbahen deri në vitin 2025, beteja midis Tusk dhe Kaczyński pritet të zgjasë deri në raundet e vona./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala