Andrzej Duda - Foto: screen shot

Poloni, presidenti i jep shansin e parë për të formuar qeverinë kryeministrit aktual Morawiecki

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda i dha mandatin të hënën kryeministrit Mateusz Morawiecki që të përpiqet të formojë qeverinë e ardhshme pasi partia e tij nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) fitoi zgjedhjet e muajit të kaluar.

Megjithatë gjasat që kryeministri të arrijë ta realizojë një gjë të tilla janë pothuajse zero, pasi atij i mungon shumica e nevojshme.

Një aleancë e partive opozitare pro-Bashkimit Evropian fitoi shumicën në zgjedhjet e 15 tetorit, por presidenti Duda kishte thënë përpara zgjedhjeve se do t’i jepte partisë që kishte fituar numrin më të madhe të votave si forcë politike e vetme, shansin e parë për të formuar qeverinë.

Partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), në pushtet që nga viti 2015, udhëhoqi në zgjedhje, por humbi shumicën përballë votave të kombinuara të partive opozitare.

Duke qenë se të gjitha partitë e tjera kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni me PiS, partia duket se nuk ka gjasa të jetë në gjendje të qeverisë.

“Pas një analize të peshuar dhe konsultimeve, vendosa t’ia besoj misionin e formimit të një qeverie kryeministrit Mateusz Morawiecki”, tha zoti Duda, një aleat i partisë PiS, në një fjalim televiziv.

Nëse zoti Morawiecki nuk është në gjendje të fitojë votëbesimin në parlament, atëherë ligjvënësit do të emërojnë një kandidat tjetër për kryeministër.

Gjasat janë që ai të jetë ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, për të cilin partitë opozitare kanë rënë dakord që të jetë kandidati i tyre për kryeministër

Emërimi i tij do të shënonte një ndryshim të madh për Poloninë pas tetë vitesh polemikash me Brukselin për çështje që variojnë nga pavarësia e gjyqësorit tek të drejtat e komunitetit LGBT.

Zoti Tusk, është zotuar të zhbllokojë fondet e destinuara për Poloninë që janë ngrirë nga Brukseli për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi reformat gjyqësore që kritikët thonë se rrisin ndikimin politik mbi gjykatat.

Ai ka thënë gjithashtu se do që të nxjerrë para një gjykate shtetërore ata që akuzohen nga aleanca e tij për shkelje gjatë tetë viteve që PiS ka qenë në pushtet, përfshirë edhe vetë zotin Duda.

Koalicioni Civil i përbërë nga partitë liberale (KO) e akuzon partinë PiS se ka dobësuar standardet demokratike duke rritur kontrollin politik mbi gjykatat dhe duke e kthyer televizionin shtetëror në një kanal propagande. Qeveria i mohon akuzat.

Sipas kushtetutës së Polonisë, presidenti “cakton” kandidatin për Kryeministër dhe i kërkon atij të formojë qeverinë, e cila më pas duhet të miratohet nga Parlamenti. Nëse Parlamenti nuk e miraton qeverinë e kandidatit të parë, Presidenti i vendit mund të emërojë një kandidat tjetër për Kryeministër të vendit.

Partia e Ligjit dhe Drejtësisë nuk e ka shumicën e nevojshme të votave në Parlamentin e ri dhe nuk do të jetë në gjendje të miratojë ligje vetëm me votat e deputetëve të saj. Por udhëheqësit e saj këmbëngulin se ajo duhet të ketë shansin të vazhdojë të qeverisë vendin sepse ajo si parti e vetme ka marrë numrin më të madh të votave.

Partia e Ligjit dhe Drejtësisë do të ketë 194 deputetë në Dhomën e Ulët të Parlamentit me 460 vende, por nuk ka partnerë të mundshëm për të krijuar një qeveri koalicioni.

Udhëheqësi i opozitës, Donald Tusk përfaqëson një koalicion të partive që së bashku kanë fituar 248 vende në Parlament. Ai ka qenë në shënjestër të sulmeve të ashpra të qeverisë gjatë fushatës zgjedhore./VOA