Rruga e lënë pas dore - VIDEO

Rruga që të shpie nga Prishtina për në Lipjan, tash e disa vite është në gjendje të rëndë. Pamjet tregojnë për gjendjen e rënduar të rrugës derisa qytetarët ankohen se kjo po u shkakton shumë probleme.

“Është pengesë shumë e madhe, i prish me guma e me krejt, n’përgjithësi duhet me u rregullu patjetër. Po çka janë t`u bo nuk e di”- tha qytetari Ejup Zharku.

Nga Komuna e Lipjanit thonë se kjo rrugë është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe se edhe ata kanë pranuar ankesa nga qytetarët.

“Komuna e Lipjanit dhe Ministria e Infrastrukturës kanë pasur një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e kësaj rruge, e cila ka qenë edhe e buxhetuar (2021) nga ana e Qeverisë së Kosovës, më pastaj ky projekt është eliminuar nga ky buxhetu” kanë thënë nga komuna.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, gjatë takimit që ka pasur më parë me zv/ministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishi, ka marrë zotimin se kjo rrugë së shpejti do të procedohet’’, thuhet tutje në përgjigjet e Komunës së Lipjanit.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka kthyer përgjigje rreth deklaratave të Komunës për largimin e projektit për rehabilitimin e kësaj rruge e cila sipas përgjigjeve të komunës ishte pjesë e buxhetit të vitit 2021.

Asamblisti në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga AAK, Bashkim Budakova deklaroi për KALLXO.com se shqetësimet e qytetarëve i kanë adresuar ekzekutivit të komunës.

“Kemi shqetësime të vazhdueshme të qytetarëve, zakonisht pyetjet që i adresojmë ekzekutivit në Lipjan të natyrave të tilla, përgjigjen e kemi ‘nuk është nën kompetencat tona’’’ – tha Budakova.

Gazmend Qerkini, ansamblit nga LDK thotë se janë munduar t’ua sqarojnë qytetarëve se ky problem nuk është problem komunal, por më shumë i takon Qeverisë.

‘’Po mundohemi qytetarëve edhe gojarisht me jua sqaru që problemi më shumë i takon Qeverisë, normal që e kemi adresu edhe në ekzekutivin tonë, për me marr masa që me u përfundu më shpejt rruga se ka mbet shumë keq’’- tha ai.

Arsim Jashari asamblist nga PDK, tregon se këtë problem e kanë adresuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Kam kërkuar edhe nga deputeti nga radhët e PDK- së, z. Rashit Qalaj, i cili ka parashtruar kërkesë në Kuvend, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap lidhje me këtë rrugë’’- tha Jashari.

Asamblisti nga LVV – Alban Salihu, ka thënë se e kanë kontaktuar Ministrinë.

“Sipas informatave nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës rruga për në Prishtinë tashmë është e buxhetuar për këtë vit dhe punimet do të fillojnë shumë shpejt për rregullimin e plotë me katër korsi’- tha Salihu, nga LVV.

Ai gjithashtu ka thënë, se ka raste kur komuna ka investuar në rrugë që nuk janë përgjegjësi e saj.

“Ka raste të tjera kur komuna e Lipjanit ka investuar në rrugë që nuk janë përgjegjësi e saj, siç është rasti për rrugën që të dërgon nga Lipjani për te udhëkryqi i Janjevës’’- tha Salihu.

Deputeti nga Lipjani, Adnan Rrustemi – LVV, ka thënë për KALLXO.com se punimet për rregullimin e kësaj rruge pritet të fillojnë këtë vit.

“Rruga QMI – Lipjan është përfshirë në buxhetin shtetëror për këtë vit nga Ministria e Infrastrukturës. Kjo ka ardhur edhe për shkak të kërkesës tonë për ndërhyrje në këtë rrugë:, deklaroi deputeti Rrustemi.

Ky segment sipas tij pritet të ndërtohet me katër korsi, duke e shkarkuar komunikacionin.

“Ky segment është mjaft i ngarkuar. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, kurse deri atëherë kam komunikuar vazhdimisht me Ministrinë për ta mirëmbajtur, duke mbyllur disa nga gropat e krijuara që po vështirësojnë komunikacionin’’- tha Rrustemi.

Sipas buxhetit të vitit 2023 të Qeverisë së Kosovës, kjo rrugë është buxhetuar nga marsi i vitit 2021, deri në muajin gusht të vitit 2025, me vlerë 500,000 euro.