Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com
Rrjeti i Grave të Kosovës dënon gjuhën seksiste të Mentor Shalës ndaj deputetes Doarsa Kica-Xhelili
Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një komunikate për media ka dënuar gjuhën seksiste të zëvendësdrejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala ndaj deputetes Doarsa Kica-Xhelili.
Në komunikatë është bërë thirrje që të ndalet gjuha seksiste ndaj grave në politikë.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të RrGK-së:
“Përmes kësaj kumtese, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerjen e gjuhës seksiste e mizogjeniste ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.
Në komunikatën e RrGK-së thuhet se çdo fjali e zotit Shala ka qenë diskriminuese dhe jo kritikë për punën e deputetes Kica-Xhelili.
Sot, zëvendësdrejtori gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, i është drejtuar me këtë gjuhë deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila njëherit është edhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Media.
Pa u lëshuar në polemikën ndërmjet Kica-Xhelilit e Shalës, gjuha e Shalës duhet dënuar, dhe si e tillë nuk përket askund, e aq më pak në televizionin publik- pagat e së cilit paguhen nga taksat e qytetarëve.
Gjuha e Shalës është seksiste e diskriminuese ndaj grave, si dhe për më tepër mirëmban dhe riprodhon raportet veçse të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave.
Çdo fjali e Shalës në publikimin e tij të bërë në rrjetin social Facebook është seksiste e diskriminuese. Asnjë fjali e Shalës nuk është kritikë për punën e Kica-Xhelilit si deputete- post që ajo e mban nga votat e qytetarëve. Shala, thjesht nuk do të duhej të merrej fare me pamjen e deputetes Kica-Xhelili, apo të cilës do deputete tjetër.
Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës”.