Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com

Sindikata e RTK-së kërkon shkarkimin e Mentor Shalës pas gjuhës së përdorur ndaj Doarsa Kica Xhelilit

Sindikata  e Pavarur e RTK-së ka kërkuar shkarkimin e ish drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shalës pas deklaratave dhe fjalorit të tij ndaj kryetares së Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili.

Shala përmes një postim në facebook i kishte kërkuar ‘takim’  deputetes së LVV-së. Kjo  pas deklaratave të bëra në një emision televiziv nga Doarsa Kica-Xhelili se gjatë mbledhjes së një komisioni parlamentar,  transmetuesi publik kishte ndërprerë transmetimin kur ishte përmendur emri i Mentor Shalës.

“Doarsa bukuroshja paska fol mbramë prap për mu. Shumë bre ka qef me ma përmend emnin. Po më duket vetëm te unë e ka mendjen! A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që don i thrrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Knaqemi edhe t’kallxoj krejt për RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja! E miqt e RTK-së?! Jo valla s’pi thrrasim! Kallxom, kur po dalim, Doarsë”, ka shkruar Mentor Shala.

Ndërkaq, Sindikata  e Pavarur e RTK-së ka thënë se një gjuhë e tillë është e turpshme dhe e pamoralshme.

“Gjuha e përdorur nga zv. drejtori Shala është e turpshme dhe e pamoralshme, dhe si e tillë ka shkaktuar indinjatë të thellë edhe në mesin e të punësurve të RTK-së. Nuk është hera e parë që ky person, në cilësinë e drejtorit si dhe të zv. drejtorit gjeneral të RTK-së, përdor fjalor fyes e denigrues ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Përveç sindikatës së Pavarur të RTK-së në lidhje me këtë postim kanë reaguar edhe deputetë të ndryshëm.