Rritet sërish çmimi i naftës

Çmimet e naftës janë rritur sërish të premten, pas shqetësimeve për shtrëngim të furnizimeve, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e dytë.

Çmimi i naftës së papërpunuar është rritur për më shumë se 2 për qind, përkatësisht 101 dollarë për fuçi, ndërkohë që luftimet janë shtuar afër kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Mirëpo tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi janë stabilizuar pasi investitorët kanë vlerësuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë goditur Rusinë me sanksione.

Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës së papërpunuar, pas Arabisë Saudite.

Ajo është edhe eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror.

Evropa merr gati një të tretën e naftës së saj dhe rreth 40 për qind të gazit nga Rusia, përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin ukrainas.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën – gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial – dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes./REL