Foto: KEK

Rritet konsumi i rrymës për 6.4% në tre muajt e parë 2020

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), bën të ditur se konsumi i rrymës është rritur për 6.4 përqind në tremujorin e parë janar-mars të sivjetëm. Ndërsa, për nevojat e prodhimit të energjisë u prodhuan rreth 2.3 milionë ton thëngjill.

ASK tregon se rreth 2.3 milionë ton thëngjill janë prodhuar në tre muajt janar-mars dhe sasia bruto e rrymës së prodhuar është mbi 1800 GWh

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 (TM1 2020) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit ishte rreth 2.3 milionë ton. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale ishte 1,817.1 GWh, dhe në hidrocentrale ishte rreth 68.1 GWh.”, thuhet në komunikatë.

Tutje ASK thotë se sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, Kosova ka importuar 931.4 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë ka eksportuar 763.3 GWh energji elektrike.

Konsumi i energjisë është rritur për 6.4 përqind në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

“Në tremujorin e parë 2020, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1,330.7 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2019), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 6.4%”, njofton ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Bilancin i Energjisë” për TM1 2020.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.