Rreziku nga 'Fake News' dhe rruga si t`i kuptojmë/luftojmë lajmet e rreme

“Lajmet e rreme, kërcënim i demokracisë”, kjo ishte tema e konferencës e cila mblodhi njohës të fushës së gazetarisë, jurist e aktivist nga shoqëria civile.

Lajmet e rreme apo siç njihen me termin “fake news “, kanë dëshmuar se mund të kenë ndikim të madh dhe të bëjnë dëme të pariparueshme, madje edhe të rrëzojë apo ndërrojnë qeveri të një shteti.

Lajmet e rreme janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren sidomos gjatë kohës së zgjedhjeve për të ndryshuar mendimin e qytetarëve.

Granit Tërnava nga KAS, tha se lexuesit duhet që të verifikojnë burimet e informatave të lajmeve të cilat i lexojnë. Sipas tij “Informacionet duhet të kontrollohen për emrin e autorit dhe për vendin nga i cili janë publikuar”.

Bardh Rugova profesor në Universitetin e Prishtinës iu referua lajmeve të rreme si: “Dezinformim i qëllimshëm, i cili bëhet për qëllime të ndryshme politike e ekonomike”.

“Fake News” ka dëmtuar edhe imazhin e mediave serioze, të cilat kanë qenë viktime e portaleve fantome, duke ripublikuar informacione të paverifikuara nga ta.

Ky term (Post-truth) është bërë i njohur viteve të fundit, pasi në vitin 2017 është quajtur edhe “fjala e vitit” për shkak të përdorimit të madh nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump.

Kreshnik Gashi auto i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, foli për mënyrën se si lajmet e rreme përdoren për të shpërndarë frikë.

Përveç kësaj sipas tij lajmet e rreme shumë shpesh shpërndahen në kohë të caktuara për të larguar vëmendjen nga disa çështje më të rëndësishme.

Ai foli edhe për lajmet për historinë, ku në realitetin e Kosovës edhe historia është e shkruar me informacione të paverifikuara.

“Historia e vendit tonë mësohet në dy versione, në versionin shqiptar dhe versionin serb mes të cilave ka kundërthënie të mëdha. Pastaj është edhe ndikimi turk në prodhimin e lajmeve për historinë qeverisjes osmane në Ballkan, e cila ka prodhuar mijëra informacione të cilat nuk kanë asnjë bazë të konfirmuar nga historianët”, tha Gashi.

Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike tha se një vend si Kosova është shumë më i ndjeshëm nga lajmet e rreme.

“Profile të rreme në Facebook, Instagram ose rrjete tjera sociale krijojnë qarkullueshmëri në faqet e rreme me qëllim që tek audienca e gjerë këto faqe të duken si të ndjekura dhe të komentuara nga shumë lexues. Rishpërndarja e informacionit te profilet e rreme rritë prezencën e lajmit dhe zgjeron audiencën akoma më shumë”, tha Elshani.

Sipas tij Facebook ka fshirë më shumë se 200 profile të cilat kanë shpërndarë lajme të rreme në këtë rrjet social jo vetëm lajme në lidhje me vendin tonë por edhe lajme ndërkombëtare.

“Diku rreth 50% e lajmeve të cilat i lexojmë në rrjete sociale janë fake news, prandaj është shumë e rëndësishme vetëdijesimi ndaj kësaj çështje dhe është shumë e rëndësishme verifikimi i burimeve kur lexohet ndonjë lajm”, tha ai.

Sipas Plator Avdiut është Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ai i cili ka përgjegjësi për zhvillimin e mekanizmave për verifikimin e lajmeve.

“Në Kosovë ekzistojnë disa mekanizma ligjorë që sanksionojnë në disa forma shpërndarjen e informacioneve të ndaluara. Shpërndarja e propagandës që nxit urrejtje dhe kryerja e veprave penale është e dënueshme me Kodin Penal, dhe dënimet për vepra të tilla mund të kalojnë 15 vite burgim. Mekanizmi tjetër i parandalimit të lajmeve të rreme bëhet sipas Ligjit mbi Shpifjen dhe Fyerjen. Mirëpo problemi qëndron tek mungesa e efikasitetit të gjykatave. Mekanizmat e tjerë që parandalojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme janë Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dhe KMShK. KPM trajton shkeljet etike nga mediat tradicionale si TV dhe Radio, ndërsa  KMShK trajton shkeljet etike nga gazetat dhe mediat online. Në KMShK nga 400 portale që ekzistojnë në Kosovë vetëm 30 prej tyre janë anëtare të saj”, tha Avdiu.

Democracy Plus’ ka krijuar një maunal për të vetëdijesuar qytetarët për lajmet e rreme, si t`i identifikojmë ato dhe për mekanizmat e luftimit ndaj tyre.

VIDEO INFORMUESE RRETH LAJMEVE TË RREME – LINK