Mungesa e trajnimeve, OJQ-të që avokojnë për gratë pa kapacitete për t`i luftuar lajmet e rreme

Hulumtimet në teren kanë zbardhur që Kosova përballet me probleme serioze të trajtimit të lajmeve të rreme. Në hulumtimet rreth mediave tregohet se një pjesë e madhe e mediave ende nuk kanë kapacitete për të redaktuar dhe kontrolluar përmbajtjen e lajmeve, ndërsa hulumtimi i Demokracy Plus mbi cenueshmërinë e shoqërisë ndaj dezinformimit tregon probleme të mëdha në identifikim dhe trajtimin e lajmeve të rreme.

“Dezinformimi është një kërcënim madhor për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Ndikimi malinj i huaj, mungesa e edukimit mediatik dhe polarizimi i ngjarjeve politike dhe zgjedhjeve dobësojnë qasjen e qytetarëve në informacion, duke minuar aftësinë e tyre për të marrë vendime të informuara…”, thuhet në raportin e Demokracy Plus.

Tutje raporti i D-Plus konstaton edhe problemin me mungesën e kapaciteteve institucionale për t`u përballur me lajmet e rreme.

Sipas gjetjeve të D-Plus, sfidat përfshijnë mungesën e kapaciteteve të institucioneve për të menaxhuar dezinformimin duke përfshirë mediat dhe rolin e Facebook-ut, si dhe reziliencën e publikut ndaj keqinformimit dhe dezinformimit.

“Sistemi arsimor nuk i përgatit qytetarët kosovarë për të identifikuar çrregullimet dhe verifikimin e fakteve në Kosovë. Dezinformimi konsiderohet kërcënim më serioz në hapësirën digjitale në krahasim me mediat tradicionale, duke përfshirë kanalet televizive informacionit, duke kontribuuar në reziliencën e dobët të publikut ndaj keqinformimit/dezinformimit”, thuhet në raportin e D-Plus.

Kapacitetet e mediave për luftimin e lajmeve të rreme

Një raport i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – BIRN, tregon për problemet që kanë mediat në ngritjen e profesionalizmit për t`i identifikuar lajmet e rreme.

Gjetjet nga ky raport tregojnë se një numër i mediave online nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për t’u marrë sa e si duhet me informacionin, duke bërë që informacioni që plasohet shpesh të jetë jo i plotë dhe jo i verifikuar si duhet.

Tutje në raport konstatohet se interneti ofron numër të madh lajmesh, të cilat domosdo duhet t’i nënshtrohen verifikimit të nevojshëm para se të publikohen.

“Mungesa e kapaciteteve profesionale dhe moskujdesi karshi informacionit të saktë bën që publikut t’i servohet përmbajtje mediale joprofesionale dhe problematike në aspektin etik”, thuhet në raport.

“Verifikimi i fakteve është thelbësor për gazetari profesionale, ashtu si dhe nevoja për forcimin e mekanizmave të kontrollit përbrenda redaksive, si masë parandaluese për lajmet e rreme dhe dezinformatat”, konstaton raporti i KMSHK – BIRN.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se shumica e mediave që kanë qenë pjesë e këtij hulumtimi kanë treguar se nuk kanë pasur bashkëpunime me verifikuesit e lajmeve, gjë e cila do ndihmonte në ngritjen profesionale të vet gazetarëve dhe redaktorëve në identifikimin dhe verifikimin e lajmeve të rreme.

“Shqetësues është edhe fakti se mediat e anketuara në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë bashkëpunim konkret me verifikues të fakteve në Kosovë. Kështu verifikimi bëhet nga vetë mediumi, nga stafi i papërgatitur për këtë detyrë, duke vështirësuar kështu procesin e konstatimit të vërtetësisë së një lajmi a deklarate të publikuar nga media të tjera”, thuhet në raport.

Mungesa e kapaciteteve të OJQ-ve që avokojnë për të drejtat e grave dhe vajzave për t`i luftuar lajmet e rreme

Sfidat e ngjashme hasen edhe në Organizatat e Shoqërisë Civile, fushata denigruese ndaj aktivistëve, mesazhe të urrejtjes e deri te kampanjat kundër fushatave avokuese janë disa nga metodat e përdorura për të bërë presion ndaj aktivistëve të shoqërisë civile.

Mirëpo edhe përkundër numrit të fushatave të identifikuara të dhënat nga Këshilli i Mediave të Shkruara tregojnë që një numër i vogël i ankesave në këtë këshill janë dorëzuar nga organizatat e shoqërisë civile.

Brenda vitit 2023 më pak se 10 ankesa në këtë Këshill ishin nga OJQ-të dhe aktivistët.

Drejtoresha e OJQ “Qendra e Mirëqenies së Gruas” në Pejë, Ardita Ramizi- Bala tregon se deri më tani kanë marr pjesë në vetëm një trajnim lidhur me këtë çështje.

“Ka qenë interesant, jemi njoftu rreth asaj se çka ndodhë çdo ditë në media, ndonëse unë për vete nuk është që i përcjelli shumë”- ka thënë Ramizi – Bala.

Ajo ka treguar se trajnimi që kanë mbajtur lidhur me lajmet e rreme ka ndihmuar shumë në punën e tyre të përditshme.

Madje ajo shprehet se trajnime të tilla do u ndihmonin edhe më shumë në të ardhmen.

Rrëfim të ngjashëm kanë edhe nga Shoqata e Gruas në Gjakovë. Në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se janë të interesuar që të marrin pjesë në trajnime të tilla. Nga kjo Shoqatë kanë vlerësuar se njohuritë që do t’i përfitonin nga këto trajnime do t’i ndihmonin në punën e tyre.

Në përgjigjet e tyre kjo Shoqatë kanë deklaruar se në përvojën e tyre 20-vjeçare nuk kanë pasur ndonjë projekt që është ndërlidhur me çështjen e lajmeve të rreme.

Ankesat në Këshillin e Mediave të Shkruara dhe KPM

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara dhe ka për qëllim fuqizimin e respektimit të Kodit të mediave të shkruara në Kosovë.

KMSHK-ja pranon ankesa nga qytetarët, institucione e nga organizata të ndryshme lidhur me artikujt që publikohen në media, portale.

Këto ankesa pas pranimit verifikohen nëse janë komfor Rregullave të Procedurës së KMSHK-së dhe më pas një javë para shqyrtimit të ankesave, ato ju dërgohen të gjithë anëtarëve të KMSHK-së ku më pas shqyrtohen në mbledhje të kuvendit të tij.

Vendimet e Këshillit të Mediave merren më pas me shumicë votash dhe bëhen gati për publikim në faqen zyrtare të tyre.

Ky Këshill përgjatë vitit 2022 ka pranuar dhe trajtuar 110 ankesa, ku nga këto ankesa, sipas vendimeve të KMSHK, gjithsej 28 kanë rezultuar me miratim për shkelje të raportimit të së vërtetës.

 Fushatat vetëdijesuese e trajnimet – një mundësi për parandalim të lajmeve të rreme

Parandalimi i lajmeve të rreme e vetëdijesimi i qytetareve për ta mësuar se cila informatë që ai apo ajo e merr është e vërtetë e cila nuk është e vërtetë shpesh herë bëhet edhe përmes fushatave vetëdijesuese e trajnimeve të ndryshme.

Këto fushata e trajnime zakonisht bëhen nga organizata të ndryshme, e një organizatë e tillë është edhe Instituti Kosovar i Medias dhe Komunikimit (IKMK).

Kaltrina Ajeti, drejtoreshë ekzekutive e IKMK-së në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo organizatë jo-qeveritare, që është e themeluar nga profesionistë të mediave, është ideuar për të kontribuar përmbajtësisht në çështje jetike që i përkasin medias dhe komunikimit.

Drejtoresha e IKMK-së ka folur edhe për kapacitetet që ka Kosova që të përballet me lajme të rreme, e që sipas saj marrë parasysh shtrirjen e mediave online, mungesën e mekanizmave sanksionues për këto media bën që problemi i lajmeve të rreme të jetë enorm.

“Në mediat vizive ndryshon situata për shkak të rolit të Komisionit të Pavarur të Medias” – thotë ajo duke shtuar se mbetet sfidë trajnimi i gazetarëve të rijnë në rritjen e vigjilencës dhe gjithashtu vetëdijesimi i redaktorëve në përgjegjësinë editoriale që kanë si pjesë e medias dhe faktor të krijimit të opinionit publik.

Sipas Ajetit Kosovës i duhen mekanizma monitorues dhe sanksionues për mediat online që të përballet me këto lajme të rreme.

Ajo thotë po ashtu se venit tonë i duhet edhe krijimi i një sistemi për detektimin dhe evidentimin e lajmeve të rreme, vetëdijesim për përgjegjësinë profesionale dhe publike të punonjësve të mediave dhe edukim medial për të gjithë të tjerët, në mënyrë që të jenë të aftë që të krijojnë mendim kritik për atë që konsumojnë nga mediat si audiencë që janë.

Ajeti ka treguar se si e tillë, organizata në fjalë sot numëron projekte të shumta rajonale të implementuara në shtetet e Ballkanit Perëndimor me theks në avancimin e etikës profesionale, drejtave të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, mbrojtjen e lirisë së shprehjes, demokratizimin e mediave, etj.

Tutje ajo ka treguar se IKMK ka implementuar projekte me theks në kufirin mes lirisë së shprehjes dhe shpifjes, hierarkisë brenda medias, trajtimi i politikanëve dhe aktivisteve gra në medie që në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhen me lajmet e rreme, rrezikun dhe pasojat që janë rrjedhojë e raportimeve të rreme.

“Në njërin prej projekteve rajonale të implementuar në Prishtinë ka pasur work-shop të veçantë me gazetarë dhe studentë të gazetarisë për identifikimin e lajmeve të rreme të mbajtur nga profesionistë ndërkombëtarë të medias”- tregon ajo.

Profesori universitar Dren Gërguri thekson rëndësinë e edukimit medial. Sipas tij një nga mundësitë që të kemi shtrirje të edukimit jo formal në shoqëri është përmes fushatave vetëdijesuese krahas trajnimeve që mund të realizohen me grup-mosha të ndryshme, qoftë edhe me pensionist sepse ne kemi persona që janë më të vjetër, por që e përdorin internetin.

Tutje Gërguri për këta të fundit shtoi se ndoshta të njëjtit i besojnë edhe më lehtë informacioneve të rreme në krahasim me një pjesë tjetër e shoqërisë, të cilët potencialisht kanë më shumë informacione rreth keq funksioneve të medias sociale.

Sipas ligjëruesit të gazetarisë Kosovës i duhet Agjenci anti-dezinformim.

“Unë besoj që do të duhej që Kosova tashmë të kishte një agjenci anti-dezinformim” – thotë Gërguri.

“Përderisa studentët përgatiten për të qenë gazetarë, natyrisht që do ta mësojnë edhe këtë pjesën tjetër, pra të verifikimit të lajmeve të rreme” – shpjegon profesori duke i treguar edhe disa prej mjeteve që ata i përdorin me studentët për të bërë verifikim të lajmeve.

Gërguri thotë se jo vetëm studentët e gazetarët, por edhe për qytetarët është e rëndësishme që gjithmonë të përdorin më shumë sesa një mjet për verifikim të informacioneve.

“Fake News është çdo formë e manipulimit të informacionit në ambientin informativ” – kështu i përshkruan Gërguri lajmet e rreme.

Ai thotë se lajmet e rreme ose mund të jenë të paqëllimshëm ose mund të bëhen me qëllim për të dëmtuar tjetrin.

“Sipas formës, informacioni i pavërtetë mund të ndahet në formë teksti dhe formë audiovizive. Në këtë të dytën bëjnë pjesë format e përparuara të manipulimit që unë i quajë, ‘fake news 2.0’: deepfakes dhe cheapfakes” – thotë Gërguri.

Tutje profesori universitar thotë se sipas përmbajtjes, ekzistojnë shtatë lloje të informacionit të pavërtetë duke e përmendur këtu satirën, përmbajtjen çorientuese, përmbajtën e trilluar, lidhjen e rreme, kontekstin e rremë, përmbajtjen e manipuluar dhe përmbajtjen mashtruese.

Edukimi medial, nevoja për trajnime

Me qëllim që të parandalohen lajmet e rreme, të cilitdo lloji apo me çfarëdo qëllimi që janë ato, fillimisht duhet të punohet në minimizimin e tyre, ndonëse një formulë e saktë për ta bërë këtë gjë është vështirë që të gjendet.

Kosova, si një shtet i ri me një territor jo shumë të madh e me numër të popullsisë të vogël në krahasim me vendet e tjera, prapë përballet me lajme të rreme njëjtë si vendet e tjera.

Formula që po përmendet nga njohësit e kësaj çështje është e vështirë të gjendet nga secili vend dhe jo vetëm.

“Unë besoj që çështja e dezinformimit është sfiduese edhe për shoqërinë e Kosovës sikurse për çdo shoqëri në botë, po e shohim që kudo në botë edhe në shoqëri më të zhvilluara sesa ne edhe në shtete më të zhvilluara sesa ne po e kanë të vështirë të  gjejnë formulën e duhur për të minimizuar le të themi shpërndarjen e dezinformimit” – thotë Gërguri nga Departamenti i Gazetarisë në UP.

Diçka e tillë sipas atij është e vështirë për një mënjanim të tërë është zor që të flitet sot, për shkak të ekosistemit medial në të cilin ne jetojmë, prandaj Gërguri thotë se ajo çfarë shtetet përpiqen të bëjnë në drejtim të lajmeve të rreme është minimizimi i tyre.

Gërguri thotë se e ajo çka është me rëndësi të bëhet është që shoqëria të jetë e aftësuar, pra të ketë shkathtësitë e domosdoshme që në ditët e sotme të dijë të bëjë pranimin e informacioneve dhe analizimin e tyre.

“Shoqëria duhet të këtë gjykim kritik ndaj çfarëdo lloj informacioni që e merr, çfarëdo lloj përmbajtje mediale të cilës i ekspozohet” – thotë Gërguri duke shtuar se në bazë të studimeve që i kanë bërë si departamenti i gazetarisë Kosova ka një krizë të dallimit të informacionit të vërtetë ndaj informacionit të pavërtetë.

Gërguri thotë se kjo e tregon domosdoshmërinë që edukimi medial të shtrihet në shoqërinë e Kosovës.

Studimet që janë bërë nga ky departament, Gërguri thotë se kanë rezultuar në atë që lajmet e rreme nuk janë problematik vetëm me të rinjtë, por me të gjitha grup-moshat e shoqërisë.

“Ne duhet të punojmë me të gjitha këto grup-mosha në shkollë e jashtë shkollës në mënyrë që t’i aftësojmë të gjithë për mediat, për mënyrën se si t’i përdorin mediat, për mënyrën së si t’i pranojnë informacionet mediale, për mënyrën se si t’i kuptojnë informacionet që qarkullojnë në media” – tregon eksperti Gërguri.

Ai tutje thotë se me qëllim që të bëhet minimizimi i lajmeve të rreme duhet të ketë bashkërendim në mes disa akterësh, duke përmendur këtu tri metoda si të arrihet në minimizimin e lajmeve të rreme sipas tij.

“Duhet të kemi institucione më aktive që demantojnë dezinformata që qarkullojnë, të kemi reagime institucionale që nuk lejojnë dezinformim” – thotë ai duke marr si shembull këto reagimet e Policisë së Kosovës, që sipas Gërgurit në disa raste janë të vonshme.

Ai tutje thotë se si metodë e dytë që të bëhet minimizimi i lajmeve të rreme është që të vazhdohet me angazhimin e fact-checkers ose kontrolluesve të fakteve.

Në Kosovë janë disa platforma që merren me monitorimin e lajmeve dhe me demantimin e lajmeve të rreme.

Një nga këto platforma që përmendet nga Gërguri është edhe Krypometri, për të cilin ai thotë se ndihmon në minimizmin e lajmeve të pavërteta që shpërndahen dhe i serviren publikut.

“Tashmë e kemi bashkëpunimin e Krypometrit me Metan që natyrisht se e ndihmon minimizimin që ne po e diskutojmë” – thotë profesori duke shtuar se metoda e tretë për minimizim është shtrirja e edukimit medial.

Sipas tij kjo shtrirje më pas mundëson që shoqëria të jetë më e vëmendshme në mënyrën se si informohet, se si i përdorë mediat dhe se si ajo merr informacione për çështje që iu intereson.

Gërguri beson se nëse shoqëria fillon ta zgjedh burimin e informacionit dhe t’i shmang ato që shpërndajnë dezinformata i bie që shpërndarësit nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre qoftë politike, qoftë financiare apo për çfarëdo qëllimi që ato i prodhojnë.

Gërguri thotë se me qëllim që të minimizohen lajmet e rreme duhet që KMSHK dhe KPM të kenë monitorim më të vazhdueshëm të përmbajtjes që qarkullon në cilëndo media.

Ai thotë se ky monitorim do të mundësohej vetëm nëse bëhet edhe rritja e resurseve njerëzore në këto dy organe.

“Në rastin e KPM-së, përderisa ka licencim të mediave edhe nëse ndodhë diçka e tillë në ato media edhe me ligj është e rregulluar që ato media të gjobiten, të dënohen, deri në revokim të licencës” – thotë ai.

Tutje Gërguri thotë se tek KMSHK çështja është pak më ndryshe, për shkak se është vetrregullim i gazetarëve edhe aty gjithçka funksionon në vullnetin që e kanë mediat anëtare.

“Mos të harrojmë që ne në KMSHK i kemi rreth 40 anëtarë të rregullt, por ideja është që kur hymë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë ne i gjejmë mbi 300 faqe portale aktive” – thotë Gërguri.

Ai tutje shton se me këto të dhëna i bie që Kosova as një të tretën e mediave nuk e ka që janë anëtare në KMSHK, e që ndërkohë ka shumë faqe të tjera, që prodhojnë lajme, por që nuk janë fare te KMSHK.

Ai thotë se kjo tregon që edhe nëse arrihet që të kemi një organizim brenda KMSHK-së për mënyrën se si t’i shmangim dezinformatat, fatkeqësisht Kosova ka një numër të madh të portaleve që nuk janë fare pjesë e KMSHK-së dhe kjo mund të bëjë që ato të mos i respektojnë ato standarde të cilat mund të vendosen nga komuniteti i gazetarëve.

Termi “Fake News” që në shqip përkthehet si “lajme të rreme” është një nga problemet sfiduese me të cilin po përballet shoqëria e Kosovës, si shumica e vendeve tjera, tash e shumë kohë. Në këto lloj lajmesh qytetarët hasin thuajse çdo ditë, përderisa demantimi i tyre në krahasim me sasinë e lajmeve të tilla që gjenden në media e rrjete sociale nuk shihet si i mjaftueshëm nga ekspertët e çështjes.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.