Dështimi për të ndalur rishpërndarjen e propagandës
Reputacioni i mediave të vlerësuara për kredibilitet dhe kretinizëm në Kosovë po sfidohet nga mediat sociale dhe mediat jokredibile, të cilat duke shfrytëzuar rrjetet sociale arrijnë të kapin audiencën dhe të shndërrohen në burim të informacionit për qytetarët.
Diskutimet e vazhdueshme në mes profesionistëve tregojnë që në vend kemi media pa redaktorë, praktikantë që publikojnë pa redaktim, e gazetarë që shfrytëzojnë burime të paverifikuara të informacionit. Rezultatet në këto raste janë të qarta: informacioni nuk del të jetë i duhuri për qytetarët ndërsa sfida kryesore është ndalimi i rishpërndarjes së informacionit propagandistik.
Të dhënat tregojnë që një informacion i pasaktë mund të rishpërndahet në qindra portale e platforma duke rritur kështu shpërndarjen dhe pasojat e propagandës ndërsa pjesa më e madhe e mediave ende nuk kanë qëndrime editoriale se nga cilat burime nuk do marrin informacione.
Në vazhdimësi shohim raporte të ndryshme statistikore që tregojnë se si Kosova është vend lider në rajon sa i përket qasjes së popullsisë në internet, me mbi 96.4% të ekonomive familjare.
Qasja e lartë në internet e ka rritur edhe më shumë trendin e përdorimit të rrjeteve sociale si burim informimi.
Sipas një raporti të IPSOS, 65% e të rinjve në Kosovë mbi moshën 18-vjeçare, i shfrytëzojnë rrjetet si burim i informimit në baza ditore.
Vetëm në platformën e rrjetit social Facebook – si platforma më e përdorur në Kosovë – janë rreth 950 mijë llogari të hapura nga kosovarët.
Këto të dhëna statistikore janë edhe një indikator i prezencës së lartë të lajmeve me përmbajtje të çrregullt dhe nivelin e cenueshmërisë ndaj burimit të informacionit.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale 2021, D4D ka analizuar 6,038 artikuj në rrjete sociale, duke vërejtur një numër të lartë të artikujve dhe postimeve me informacion të çrregullt, e në mesin e tyre një numër të lartë të artikujve dhe postimeve që kanë promovuar ndasitë politike, ofendimet, gjuhë të ashpër dhe seksiste, gjuhë të urrejtjes, të nxjerra nga konteksti, përmbajtje të pavërtetë, të manipuluar, të fabrikuar dhe tituj të ekzagjeruar[1].
Në gjithsej 237 artikuj me përmbajtje të çrregullt të informacionit, u gjeneruan 219,397 ndërveprime në rrjete sociale, kurse ndikimi te publiku i gjerë ishte 4,954,302 njerëz që potencialisht i kanë lexuar këta artikuj dhe postime.
Nga monitorimi i shpërndarjes së lajmeve në rrjete sociale, ripostimi dhe shpërndarja e artikujve nga portalet online, të cilat vetëm kopjojnë lajme të cilat nuk i nënshtrohen kontrollit redaktorial, shtuar kësaj edhe sponsorizimet, ka kontribuar në shpërndarjen e shpejtë të lajmeve me përmbajtje të çrregullt.
Përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe seksiste kundrejt grave në politikë zakonisht ka klikueshmëri të lartë, me ç’rast përdoren artikuj dhe postime me tituj të ekzagjeruar për të shtuar kurreshtjen e lexuesve për të nxitur komente nëpër postime në rrjetin social Facebook. Ky fenomen më së shumti është i shprehur gjatë periudhave zgjedhore ndaj kandidateve për kryetare të komunave dhe kandidateve për kuvende komunale[2]. Referuar kësaj, për 11 kandidatet për kryetare të komunave në Kosovë në vitin 2021, janë analizuar 373 postime me gjithsej 5,567 komente, ku mbi 40% janë me përmbajtje negative dhe 28% me përmbjajte mizogjene.
I freskët është rasti i “qepimit”, ku komenti i redaktorit në tekstin e gazetarit publikohet si lajm, e pastaj po i njëjti publikohet në dhjetëra portale të tjera. Ky rast nxjerr në pah më së miri praktikat aktuale të gazetarisë dhe mungesës së etikës në fushën e informimit publik. Ky rast dhe raste të tjera të ngjashme janë të llojit të ‘huazimit’ tipik, i cili vërtetohet me faktin se në të gjitha portalet e lajmeve, mund të shohësh informacionin identik të njejtë, madje edhe me gabime gjuhësore, por që i vetmi dallim janë ngjyrat ueb-faqeve të portaleve.
Thelbi i këtij problemi të shtyn të mendosh se ka një “pajtueshmëri” në mes të mediumeve që të “huazojnë” nga njëra-tjetra aq sa të munden dhe informimi publik nuk është më misioni i shenjtë i mediave.
Publikimi i lajmeve të pakontrolluara duke promovuar ndasitë politike, ofendimet, gjuhë të ashpër dhe seksiste apo gjuhë të urrejtjes, tregon se prioriteti është rritja e numrit të vizitave në faqen e internetit të portalit/medias, që rrit edhe më shumë rrezikun për lëshim të gabimeve dhe humb gjithashtu edhe peshën e informacionit.
Kjo vërehet veçanërisht me publikimin e numrit shumë të lartë të lajmeve brenda ditës nga një portal online, e ku lajmi kryesor nuk qëndron më shumë se dy orë në faqe të parë, pasi mbulohet prej ngjarjeve të tjera ditore.
Një fenomen tjetër që haset në mediat jo vetëm në Kosovë, është dhënia e drejtimit të lajmit përmes titullit në varësi të agjendave të mediumit. E mbase kjo paraqet vijën e hollë ndarëse në mes të mediumeve më serioze dhe atyre të cilat kanë hequr dorë nga standardet e gazetarisë.
Është thelbësore për çdo demokraci që shpërndarja e informatave të bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa përmbajtje të informatave të gabuara apo gjysmake.
E thënë nga Benjamin Franklin “një gjysmë e vërtetë është zakonisht një gënjeshtër e madhe”, mediat e kanë për obligim të paraqesin lajmin e plotë, duke i gjetur nuancat adekuate për titullin.
Në përfundim, “gazetaria është ajo që e mirëmban demokracinë: është forca për ndryshimin social progresiv” prandaj përgjegjësia dhe pesha e këtij profesioni është mjaft e lartë për bartësit e saj!