Rrëfimi para Gjykatës i të akuzuarit për marrje ryshfeti në rastin 'Subvencionet 1'

Në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1” në seancën e datës 14.06.2024  ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Luan Statovci. Ai nga Prokuroria Speciale po akuzohet për veprat penale – marrje ryshfeti, dhe – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

I akuzuari Luan Statovci në fillim të seancës gjyqësore u përball me pyetjet nga ana e prokurorit special Rafet Halimi.

Kujtojmë se i njëjti kishte filluar marrjen në pyetje nga prokuroria më datë 10.06.2024.

Statovci po akuzohet për marrje ryshfeti në mënyrë të tërthortë, se ka pranuar ryshfet nga Kastriot Berisha, Fuat Morina, Flamur Zeqiri, Florim Nimonaj, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi.

I akuzuari Statovci gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit special u përball me disa pyetje, një ndër to ishte se: “Sa është vlera e parave që i ke marrë nga Daut Kabashi?”.

“Nuk më kujtohet” – u përgjigj i akuzuari Statovci.

Tutje në këtë seancë i akuzuari Luan Statovci u përball edhe me disa prova nga ana e Prokurorisë. Të akuzuarin Statovci prokurori Rafet Halimi e përballi me një video-incizim në zyrën e tij përmes të cilit shihej se pranonte para më datë 15.02.2021 dhe pastaj i vendoste në xhepin e majtë të tij dhe pak më vonë nga i njëjti xhep të njëjtat para ndahen me të pandehurin Sadat Shkodra në vlerë prej 500 euro.

Përveç kësaj prokuroria e kishte siguruar edhe një provë në bazë të përgjimeve telefonike dhe me datë 15.02.2021 ora 10:16 minuta e kontaktonte E. K. dhe një nga pyetjet të cilat ja kishte bërë ishte “A priton me shiku qaty dy minuta se po më intereson diçka në emër të Valentina Kabashit”.

Pyetja e radhës nga prokurori ndaj të akuzuarit ishte se personi Afrim Abazaj a i kishte sjellur ndonjëherë para në zyrën e tij?

“Më kujtohet një herë” – deklaroi i akuzuari Luan Statovci.

A keni pranuar ndonjëherë para nga Kushtrim Zogaj për rastin e Dukagjinit ishte një pyetje tjetër e cila ju parashtrua të akuzuarit nga ana e prokurorit si dhe a keni pranuar ndonjëherë para nga Sadat Shkodra për rastin e Dukagjin Mavraj.

“Jo nuk kam pranuar dhe nuk e njoh personin me emrin Dukagjin Mavraj” – deklaroi i akuzuari Statovci.

“Nuk kam pranuar asnjëherë para për Dukagjin Mavraj” – shtoi tutje i akuzuari Statovci gjatë seancës.

Prokuroria po ashtu e kishte siguruar një provë nga masat e veçanta hetimore. Statovci në zyrën e tij më datë 19.02.2021 shihej duke pranuar para nga Sadat Shkodra në vlerë prej 1700 euro. Në atë videoincizim në momentin që sllëen paratë në vlerë prej 1700 euro, Sadat Shkodra e njofton se këto para janë nga Dukagjini. Por sipas të akuzuarit këto para nuk kanë të bëjnë me Dukagjinin.

Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje e të akuzuarit Luan Statovci nga ana e disa avokatëve të të pandehurve ndërsa pas kësaj seanca vazhdoi edhe me disa pyetje nga ana e trupit gjykues.

Në fund i akuzuari deklaroi se nuk ka çfarë të shtoj më tepër dhe se e konsideron veten të pafajshëm.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special në përbërje të trupit gjykues me kryetar Kujtim Krasniqi dhe anëtarët Lutfi Shala e Valon Kurtaj.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më datë 19.06.2024.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për mashtrim me subvencione.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.

Për veprën – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastet e njohura si ‘subvencionet’ mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK