Rrëfimi i djalit për babanë e infektuar me COVID-19, pritjet e gjata dhe informacionet e mangëta nga stafi shëndetësorë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës numri trajtimeve mjekësore dhe vizitave është dukshëm më i madh se në kohën kur vendi nuk njihte infeksionin e coronavirusit COVID-19.

Tash e katër muaj jeta pothuajse e gjithsecilit prej nesh ka pësuar ndryshime, e jetë më të vështirë po bëjnë pacientët të cilët po luftoj me këtë pandemi dhe familjarët e tyre të cilët luten për shëndetin e të dashurve të tyre.

Po të kalosh afër Mjekësisë Sportive do të vëresh me dhjetra njerëz duke pritur.
Ata po presin ‘lajmëtarët’ për të kumtuar lajmin e mirë apo të keq për familjarët të cilët gjenden të shtrirë brenda dhomave të kësaj klinike.

Nën asistimin e aparaturave të oksigjenit po mbahen gjallë ritmet e zemrës të shumicës së pacientëve të shtrirë në këtë klinikë.

Përveç klinikave të QKUK-së trajtimi i pacientëve me COVID-19 po bëhet edhe nëpër Spitalet Rajonale të Kosovës.

Një familjarë i cili ishte duke pritur mantelbardhët për t’i dhënë informacion për prindin e tij rrefeu për KALLXO.com ‘rrugëtimin’ e ditëve të vështira.

I veshur në të zez, ngjyrën e errët e thyente maska e bardh e cila ia mbulonte fëtyrën e lodhur, në dorë mbante gjatë tërë kohës telefonin për të parë nëse po merr ndonjë telefonatë nga ndokush i familjes. I lodhur nga gjithë kjo situatë e krijuar ai gjeti forcë për të rrëfyer ‘jetën e tij’ pasi babai i rezultoi pozitiv me COVID-19.

“Simtomat e para që ju kanë lajmëru babës ka qenë e martë 23 qeroshor. Babi im i bën 64 vjeç edhe pak, gjithmonë ka pasë shëndetë të mirë.
Pas fillimit të simptomave që na nuk dimë nëse kemi pasë kontakt me dikë, ka qenë i izolum për 4 muaj rresht”, tregon ai.

“Në fillim ka shku u lajmëru në Qendrën e Mjekësisë Familjare i kanë thënë që nuk ke kurgjo, është një ftohje e zakonshme. Filloj gjendja me iu përkeqësu, temperatura i ka shku deri në 40. Kemi shku në shtëpi të Shëndetit, i ka thënë që është në gjendje normale i kanë dhënë tre ditë injeksione. Pas atyre ditëve ka vazhdu me ju rritë temperatura deri në 41 dhe filloi me ju vështërsu frymëmarrja e sidomos natën kishte probleme më shumë. Kemi kërku me bo testimin, na kanë thënë që nuk mundesh me hy në listë. Përmes disa të njofshëm familjarë kemi intervenu për test. Më ka thirrë familjari më tha nëse mundesh brenda pesë minutave me ardh në pjesën e QKUK-së me bo një testim, dhe kemi mujt me mrri me bo testimin atë ditë”, rrëfen ai.

“Na ka lajmëru brenda ditës që ka dalë pozitiv. I kanë thënë rri në shtëpi dhe izolohu me gjithë familjarët. Gjatë asaj nate i kanë fillu ethet. Kur kemi ardh në Infektivë na kanë thënë është mirë me u shtri në spital, por të shikojmë në ora 14:00 a do të lëshohet ndonjë vend, dhe na e ka përshkruar terapin për me marrë. E ka bo edhe fotografimin (rentgenin) dhe anën e djatht të mushkrive doli se ka hijëzime shumë të mëdha. Atë ditë nuk kemi mujt me shtri në Infektivë se nuk ka pas vend. Gjatë natës ju ka përkeqësu gjendja. I kam ble paisjet për me ia matë vlerat e oksigjenit në trup ka pase 85- 86 oksigjenin”, tregon ai.

“Mjeku më tha me pru nesër herët në mëngjes, kemi ardh dhe kemi prit deri sa është gjetë një vend i lirë dhe është shtru (në Spital) më 1 korrik.
Dy antibiotikët që i ka pasë për mushkri dy ditë i kanë dhënë prej spitalit, në ditën e tretë ka pasë mungesë të tij edhe kam ble unë vazhdimisht. Në momentin që nuk ka pas antibiotik motra i ka dhënë vetëm materialin që e ka pasë, qato barna që i kanë dhënë dhe ka vazhdu tutje, nëse ti nuk ke qëndru brenda edhe me i thon ai ke dhënë filan antibiotikun, ajo ka thënë s`ka edhe është dasht me ja dhënë unë, nëse unë nuk kam qenë aty me ia dhënë antibiotikun për me ia dhënë në infusion atëherë ka vazhdu pa e marr barin. Është e kuptueshme që nuk kanë mujt me i mrri (gjitha punët), se ka qenë numër shumë i madh (i pacietëve) dhe nuk ka mujt motra me i mrri është dasht me nejt me ja ndrru bocën unë vet. Po unë e kam bërë ndrrimin e bocave. Ato (infermieret) kanë qenë shumë të angazhune, por kanë qenë vetëm dy motra në një repart. Aty (në Klinikën Infektive) është një neglizhencë e menaxhimit. Ka pas raste ku terapia i është vonu deri në ora 12 mesdite, sepse ka pas raste me vështërsi kanë intervenu aty e  pacientët tjerë kanë mbetë deri sa u kry. Terapia ka fillu prej 9 deri 10 ose prej 21 deri 22, gjatë kohës së terapis u dashke me qenë gjithqysh aty”rrëfen djali të cilit i ështyë infektuar babai me COVID-19.

Tutje ai thotë se pasi e kanë transferu në dhomën me oksigjen gjatë ditës ka qenë mirë, por gjatë natës gjendja i është përkeqësuar babait të tij.

“Më vonë kam shku me ndrru (rrobat), kanë ardh disa persona me kolicë dhe në atë moment ka ardh motra dhe ka thënë se babi yt duhet me u transferu në Mjekësisn Sportive për shkak se atje e kçyrin më mirë. Prindi ka qenë në gjendje të mirë, ka hy vetë në kolic, por nën përcjelljen e bocës së oksigjenit, nuk ka mujt me nejt pa oksigjen asnjë moment. Gjatë transferimit e kanë pru një bocë të vogël por nuk ka pas oksigjen të mjaftueshëm e kam marr bocën tem që e kam blerë edhe ia kam vendos vetë për me ngi frym, me atë bocë e kemi sjell deri në mjekësi Sportive. Më nuk kam pas informata atë ditë, më thanë që në ora 13:00 dalin për me dhënë informata për të gjithë. Në ora 13:00 më thanë që baba ka pasë arrest kardiak iu ka ndal zemra një moment, por për fat kanë qenë mjekët aty dhe e kanë ndihmuar dhe i është rikthyer zemra me intubim”, thotë ai.

“Në ditën e parë më kanë thënë se ka problem me zemër, me mushkri me vibracione, më vonë më ka ardh informata që ka pas mpiksje të gjakut dhe për atë ka shkaktu arresti kardiak, të nesërmen që po i bjen të enjten më kanë thënë se e ka gjendjen e njëjtë, pra nuk është stabile. I vetmi sukses ka qenë se nuk ka pas arrest kardiak. Më herët nuk i ka pas asnjë nga këto probleme. Sot kur vjen puna për me marr në ora 13:00 informacione, presim kah 20 a 30 familjarë del një person i gjinisë femrore nuk e dim nëse ka qenë doktoreshë, infemiere apo mirëmbajtëse nuk dua të diskriminoj asnjë, por të gjithë kanë uniformën e njëjtë dhe nuk mundemi me i vërejtë. Sot (e premte) nuk ka mjekë me na informu. Rreth orës 14:00 vjen një person jashtë këtij objektit (Mjekësisë Sportive) me mantil dhe thotë erdha me ju informu në pika të shkurta se sot nuk mundemi me ju informu të gjithëve.
Nuk po na japin informacione të plota ka informacione shumë të mangëta”, rrëfehet personi i cili për shkaqe të sigurisë dëshiroi të mbesë anonim.

KALLXO.com dje ka raportuar edhe për personat e shtrirë në Klinikën Infektive, ku shumica prej tyre janë nën asistimin e aparateve të oksigjenit.

 

Rrëfimet e pacientëve të prekur nga Coronavirus

Rrëfimet e pacientëve të prekur nga Coronavirus në QKUK Prishtinë

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 13 juillet 2020