Rozeta Hajdari për zonat ekonomike: Ka pasur mungesë të strategjisë dhe mosveprim nga komunat

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka deklaruar se Kosova nuk ka arritur të zbërthejë potencialin ekonomik në sektorin privat teksa potencoi problemin edhe me mos-funksionalizmi të disa zonave ekonomike.

Gjatë raportimit në komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Performancës dhe gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit tha se kanë hartuar strategjinë për zhvillim industrial dhe të bizneseve deri në vitin 2030.

“Kosova nuk ka arritur të zbërthejë potencialin ekonomik privat. Kemi zhvilluar strategjinë kombëtare për biznese deri në vitin 2030 bazuar në këto gjetje të auditimit të performancës” – tha ministrja Hajdari.

Sipas saj, nuk ka pasur administrim të mirëfilltë të zonave ekonomike, duke shtuar se kanë synim transformimin e tyre.

“Sa i përket zonave ekonomike, nuk kanë sjellë vlerë të shtuar dhe nuk kanë qenë tërheqëse për investitorë. Duhet një ligj i ri për zona specifike e jo mikse që nuk kanë fokus. Nuk ka pas administrim të mirëfilltë, neve na kanë ardhur fatura për këto zona për ujë e shërbime tjera. Nuk do kemi 2-3 zona në një komunë, por do jemi gjithëpërfshirës” – shtoi ajo.

Gjatë komisionit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj Sadiku tha se ka mungesë në zhvillim të ndërmarrjeve dhe të strategjisë.

Sipas saj MINT-i po vepron pa strategji dhe kështu rrezikohen këto zona industriale.

“Themelimi i zonave të lira ekonomike pa studim fizibiliteti gjatë periudhës 2014-2018, në Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren. Qeveria nuk ka arritur t’i funksionalizojë këto zona” – tha deputetja Tishukaj Sadiku.

Ajo pati edhe pyetje në lidhje mes mos funksionalizmin e zonës ekonomike në Vushtrri.

“Në Vushtrri kemi po ashtu një zonë ekonomike dhe do doja të dija se çfarë ka ndodhur dhe përse nuk është funksionalizuar?” – ishte pyetja që Tishukaj Sadiku ia shtroi të parës së MINT-it.

Zef Dedaj, drejtor i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) tregoi arsyet e vonesave në zonën ekonomike të Vitisë dhe Vushtrrisë.

“Në zonën ekonomike në Viti ka qenë një kontest i pronës që tashmë është zgjidhur. Derisa, vonesë kemi edhe nga operatori ekonomik, i cili ka zvarritur punimet nën arsyetimin se ka pasur rritje të çmimeve” – tha ai.

“Do kërkojmë nga kryetari i komunës që të fillojë menjëherë popullimi me biznese i asaj zone ekonomike. Edhe në rastin e Vushtrrisë ka pasur vonesa me punimet në teren. Kemi formuar komision për pranim teknik nëse plotësohen kërkesat që kjo të jetë zonë ekonomike, por komuna nuk ka marr iniciativë që ta popullojë me biznese” – tha ai.

Temë e këtij komisioni ishte edhe parku industrial në Drenas për të cilin deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj e pyeti ministren Hajdari.

Sipas tij, për këtë çështje ka mungesë të investitorëve serioz,

“Çështja e parkut industrial në Drenas, ka qenë planifikim për investim milionësh. Kemi mungesë të investitorëve serioz” – tha Qalaj.

Për këtë ministrja u përgjigj duke thënë se Parku i biznesit në Drenas është trashëguar me shumë probleme.

“Unë nuk po flas jashtë kontekstit por për mungesa të strategjisë. Parku i biznesit në Drenas është trashëguar me shumë probleme. E kemi në plan për të zhvilluar, por sa është bashkëpunimi i komunës dhe sa ka dizajn për parkun 2 lë shumë për të dëshiruar. Kjo po merr kohë, dhe po lihen më pritje edhe konsulentët. Po ashtu janë shkelur edhe kriteret për ruajtje të ambientit”- u përgjigj ministrja Hajdari.