Richard Grenell sërish merret me Albin Kurtin

Ish i dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas votimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Sipas Grenell, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues ndaj motiveve të Kurtit për të votuar në Shqipëri.

“Kryeministri i Kosovës po voton në zgjedhjet shqiptare. Kjo i tregon botës shumë për Kurtin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues ndaj motiveve të tij”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

Kurti ka ftuar të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave.

“Dita është e bukur, e diel, me diell, moti është i mirë, dhe kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura për Shqipërinë dhe secilin njeri që e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë“, ka theksuar Kurti pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka konsideruar të papranueshëm votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për zgjedhjet në Shqipëri.

Përmes një reagimi në twitter, Cramon ka thënë është shprehur e hutuar sesi kritikohet ndërhyrja e Vuçiqit në Kosovë, ndërsa kryeministri Kurti voton në Shqipëri.

“Nuk mund ta kuptoj për çfarë bëhet fjalë. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vet Presidenti Vuçiq, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E pa pranueshme. Të paktën jo për mua”, ka shkruar ajo.

Von Cramon për votimin e Kurtit në Shqipëri: E papranueshme