Von Cramon për votimin e Kurtit në Shqipëri: E papranueshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka konsideruar të papranueshëm votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për zgjedhjet në Shqipëri.

Përmes një reagimi në Twitter, Cramon ka thënë është shprehur e hutuar sesi kritikohet ndërhyrja e Vuçiqit në Kosovë, ndërsa kryeministri Kurti voton në Shqipëri.

“Nuk mund ta kuptoj çfarë është kjo. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vet presidenti Vuçiq, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën jo për mua”, ka shkruar ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

Kurti ka ftuar të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave.

“Dita është e bukur, e diel, me diell, moti është i mirë, dhe kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura për Shqipërinë dhe secilin njeri që e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë“, ka theksuar Kurti pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Kurti, garon në zgjedhjet e sotme në Shqipëri me 3 kandidatë për deputetë, të cilët, megjithatë, garojnë si të pavarur.

Kurti: Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar (kallxo.com)