Remzije Zeqiraj betohet në Kuvend si Komisionere parlamentare e FSK-së

Remzije Zeqiraj është betuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës si Komisonere parlamentare e Forcës së Sigurisë së Kosovës më 07.03.2024.

“Betohem solemnisht se do t’i kryej me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar me ligj; se do ta mbroj dhe avancoj respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për rekrutët, kadetët dhe ushtarakët e Forcës së Sigurisë të Kosovës”- është betuar ajo.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 14.02.2024, Remzije Zeqiraj është zgjedhur Komisionere parlamentare e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandat 5-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Komisionari, bazuar në ligj, ndër tjera e ka autoritetin që të trajtoj ankesa dhe të kërkojë informata dhe qasje në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Komisionarja Zeqiraj, me ligj ka të drejtë të “kërkoj informata dhe qasje në institucione tjera në lidhje me pjesëtarin e FSK-së; të thërras në dëgjim, apo të intervistoi ankuesin, dëshmitarët, apo palët tjera të përfshirë në proces të ankesës; të kërkoj mbështetje me ekspertizë nga ekspertët; të procedojë tek organet përgjegjëse dosjen e një çështjeje penale apo disiplinore në rastet e dyshimta për shkelje legjislacionit në fuqi; si dhe t’i vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitet e FSK-së, në çdo kohë, me dhe pa paralajmërim”.